“Ne kemi fituar zgjedhjet përsëri jashtëzakonisht bindshëm”, Gërvalla: Presim certifikimin e rezultateve para çdo diskutimi për koalicione

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të presin certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve para se të diskutojnë për bashkëpunime politike dhe mundësitë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Ajo u shpreh optimiste se vendi nuk do të përballet sërish…

Lajme

15/06/2026 10:59

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të presin certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve para se të diskutojnë për bashkëpunime politike dhe mundësitë për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit.

Ajo u shpreh optimiste se vendi nuk do të përballet sërish me bllokada institucionale, duke shtuar se mandati i marrë nga qytetarët duhet të respektohet.

“Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare të certifikuara. Kur t’i kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shumë shpresoj dhe jam shumë optimiste që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokada të pakuptimta edhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë sepse ofertat kanë qenë më shumë se bujare, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm që e jep vota e qytetarit këtë herë do të respektohet deri në fund”, tha ajo.

E pyetur nëse kanë vija të kuqe ndaj ndonjë partie apo me cilat subjekte mund të bashkëpunojnë për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, Gërvalla tha se aktualisht nuk ka diskutime për koalicione dhe se fillimisht duhet të pritet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

“Po nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe as për koalicione të cilat do t’i shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtar, të certifikuar me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Nëse ne nuk e dimë mesazhin e qartë të qytetarëve atëherë edhe nuk e respektojmë mesazhin e qartë të qytetarëve, atëherë gabojmë shumë”, tha ajo.

Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, Gërvalla tha se koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbështetje të fuqishme nga qytetarët dhe se kjo duhet të reflektohet në proceset e ardhshme politike.

“Ne kemi fituar zgjedhjet përsëri jashtëzakonisht bindshëm. Përsëri kemi më shumë vota se të gjitha partitë shqiptare të tjera së bashku. Prandaj nuk shoh asnjë arsye. Është e vërtetë pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e vogël, ky është një mesazh të cilin duhet ta analizojmë dhe ta kuptojmë drejt të gjithë ne që jemi aktiv në skenën politike. Duhet ta respektojmë faktin që qytetari i Kosovës në mënyrë të përsëritur sillet tek kutia e votimit dhe natyrisht që kjo lë gjurmë. Mirëpo nuk duhet t’i shtrembërojmë faktet. Fakt është, koalicioni ynë, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Alternativa, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës përsëri edhe para se të çertifikohen zgjedhjet po shihet qartë që rezultati është bindës, rezultati është i fuqishëm, mbështetja është e madhe dhe tani duhet të vazhdojmë punët e mira që kemi nisur”, tha ajo.