Në KEK shpërthyen bombolat e hidrogjenit

Tragjedia në Termocentralin Kosova A, Blloku 5, në Obiliq, ku raportohet të kenë humbur jetën tre punëtorë, ndërsa të paktën dhjetë të tjerë janë plagosur, duket të jetë shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të hidrogjenit.

Lajme

06/06/2014 13:53

Një punëtor i këtij blloku, i cili ka preferuar të mos i përmendet emri, ka thënë për lajmi.net se ngjarja tragjike ka ndodhur në repartin ku mbahen bombolat e hidrogjenit, disa prej të cilave kanë shpërthyer.

Sipas këtij punëtori, këto bombolat e hidrogjenit janë të një kompanie private dhe mbahen aty pasi me to furnizohet edhe Koorporata Elektroenergjetike.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, zyrtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe menaxhmenti i KEK-ut.      

Ministri Ismajli ka thënë se situata po stabilizohet, shpërthimi ka ndodhur jashtë reparteve ku prodhohet rryma dhe i ka lutur mediat të mos nxisin panik tek popullata, pasi sipas tij nuk ka rrezik për ndonjë shpërthim tjetër.