Në Gjykatë paraqitet dokumenti i shtatorit 1999: Hashim Thaçi shkoi në Prekaz për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari
Gjatë shtatorit të vitit 1999, Hashim Thaçi kishte marrë rrugë drejt fshatit të Prekazit për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari, në kohën kur ai e kishte menduar formimin e një partie politike. Kështu lexohej në një dokument të datës së lartpërmendur, e për të cilin u fol sot gjatë dëshmisë së Jock Covey në…

Lajme
Gjatë shtatorit të vitit 1999, Hashim Thaçi kishte marrë rrugë drejt fshatit të Prekazit për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari, në kohën kur ai e kishte menduar formimin e një partie politike.
Kështu lexohej në një dokument të datës së lartpërmendur, e për të cilin u fol sot gjatë dëshmisë së Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pos Jasharit, në dokument thuhej se Thaçi shkoi ta takonte edhe një komandant të UÇK-së në Drenicë.
“Lidershipi i UÇK-së është shpërbërë në disa parti, partia PBD që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti dhe e cila binte më shumë në sy që ia ka dalë të tërheq mbështetjen e shumë përfaqësuesve dhe komandantëve të respektuar në terren të UÇK-së. Hashim Thaçi kryeministër i përkohshëm i Kosovës, e cila nuk njihej nga UNMIK, njoftoi se edhe ai do të formonte partinë e tij politike pa dhënë hollësi. Ai vizitoi fshatin e Prekazit ku u takua me Rifat Jasharin, që është i vetmi vëlla i mbijetuar i familjes së Adem Jasharit. Mbështetja e familjes së Jasharëve do të ishte avantazh në zgjedhje. Ai u takua edhe me komandantin e Drenicës së UÇK-së, por kishte ndasi midis Thaçit dhe Mahmutit i cili ka mbështetës të tij brenda segmentit të UÇK-së. Megjithatë këto janë lojtarë politik të rinj dhe nuk është e qartë çfarë agjende politike do të jenë ato”, lexohej në dokument.
Dëshmitari amerikan, Jock Covey tha: “Mund të pritej që një politikan të takohej me zgjedhësit megjithatë në qoftë se do të kisha lexuar një informacion të tillë në atë kohë, do të isha befasuar sepse nuk më dukej një gjë e natyrshme”.
Pos kësaj, Covey konfirmoi se gjatë asaj kohe, kishte informacione se kishte një lloj përçarje brenda UÇK-së.
“Kishim informacione që nuk kishte konsensus të qartë ndërmjet individëve të lartë të UÇK-së, kishte një lloj përçarje por nuk e dinim deri në çfarë mase ishte kjo përçarje. Ishim të informuar që nuk kishte konsensus ndërmjet udhëheqësve të lartë të UÇK-së”, tha Covey.