Në Gjermani, dyfishohen azilkërkuesit nga Kosova

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të jenë një barrë për vendet e BE-së e posaçërisht për Gjermaninë.  

Lajme

14/06/2014 10:00

Shtetasit e Kosovës, vazhdojnë të figurojnë në listat e azilkërkuesve në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Gjermania vazhdon të mbetet një nga vendet më të preferuara për shtetasit e Kosovës.

Tash kur strehim politik atje nuk mund të kërkohet, arsyetimi kryesor i azilkërkuesve nga shteti më i ri në Evropë është ai ekonomik. Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ka publikuar dokumentin zyrtar që përfshin periudhën nga janari deri më 15 maj 2014.

Njëkohësisht në dokument janë bërë edhe krahasime nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Këtë herë në raport theksohet se ka pasur rritje të numrit të azilkërkuesve nga Kosova, për së paku një herë më shumë.

Më mirë nuk janë as vendet e rajonit. Madje në shumë prej tyre që gëzojnë edhe liberalizimin e vizave, si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Bosnjë e Hercegovina, situata në disa raste është edhe më e keqe.  Edhe më tej Gjermania mbetet ndër vendet më të lakmuara për azil.

Në këtë shtet nuk kërkojnë azil vetëm shtetas, vendet e të cilëve janë të përfshira në konflikte të ndryshme si ai në Siri, por edhe nga rajoni i Ballkanit. (Gazeta Tribuna)