Në fushatën zgjedhore mungon zëri i grave

Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e cila ka nis nga 11 janari, po mungon zëri i gruas, por gjithashtu subjektet politike nuk po shpalosin programe që ndërlidhen me përmirësimin e jetës së gruas në Kosovë. Kështu po vlerëson shoqëria civile, e cila kritikon edhe për përfshirjen e ulët të grave në…

Lajme

26/01/2025 15:07

Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e cila ka nis nga 11 janari, po mungon zëri i gruas, por gjithashtu subjektet politike nuk po shpalosin programe që ndërlidhen me përmirësimin e jetës së gruas në Kosovë.

Kështu po vlerëson shoqëria civile, e cila kritikon edhe për përfshirjen e ulët të grave në listat e kandidatëve për deputet.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit në listat zgjedhore të partive politike në Kosovë, pak mbi 30 për qind janë gra, për shkak të kuotës gjinore prej 30 për qind, siç e parasheh ligji për zgjedhje, ndonëse ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje 50-50.

Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli thotë se kjo fushatë zgjedhore nuk ka zë të gruas.

Ajo thekson që karshi grave të angazhuar në jetën politike, ka një dhunë të shprehur në internet.

“Kemi parë që nuk ka zë të grave. Ka lidership, ka fjalime të liderëve edhe ato jo shumë për gratë, liderët kryesisht po targetojnë atë votën patriakale, votën familjare dhe nuk po flasin për nevojat të grave, ka popullizëm nga të gjitha partitë politike ku folet për siguri dhe ekonomi. Janë dy tema që flitet në gjeneral, por jo diçka konkretisht…për nevojat e tyre, për pushim prindëror, për pushimin e lehonisë, nuk është adresuar në mënyrë të veçantë, askush nuk ka marrë përsipër me thënë që do ta ndryshoj ligjin e punës dhe do ta ndryshoj në këtë formë, ashtu siç kemi avokuar ne…Çka kemi parë një fenomen tjetër një dhunë e shprehur te gratë është më e madhe në internet. Shumica e grave në internet po shkojnë në fushata të veçanta dhe ka një sulm të tyre që është ngacmues dhe që shpreh një urrejtje për gratë në politikë, gjë që prapë nuk po adresohet prej liderëve të partive politike”, tha Demolli.

Ndërsa, për përfshirje minimale të grave në listat zgjedhore, avokuesja për barazi gjinore, Demolli i bënë fajtore vetë partitë politike.

“Përfshirja e grave në listat e kandidatëve ka qenë minimumi sa jepet me kuotë 30%, jo më shumë. Asnjë parti politike nuk ka treguar një interesim për një përfshirje më të madhe ani pse shumica e partive gjatë viteve kur janë koha e zgjedhjeve targetojnë gratë si votuese. Por, si përfshirje në listat e tyre nuk është që kanë shfaqur ndonjë interesim. Kjo është për fajin komplet të tyre, për shkak se nuk punojnë paraprakisht me gratë me i rritur interesimet e tyre, me punuar me lidershipin e grave në jetën publike apo edhe me i larguar barrierat të cilat paraqiten për gratë në jetën publike”, thotë ajo.

Edhe hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli thekson që në tubime elektorale po mbizotërojnë folësit burra.

Ajo e vlerëson tejet të nevojshme përfshirjen më të madhe të grave në jetën publike.

“Në këto ditë të para të fushatës që edhe gratë normalisht janë prezente në tubimet të cilat po mbahen nga partitë politike. Kryesisht po mbizotërojnë burrat si folës në këto ngjarje, por megjithatë ka edhe gra pjesëmarrëse të cilat mbajnë fjalime në tubimet që po organizohen nga partitë politike…Është shumë e rëndësishme përfshirja më e madhe e grave në partitë politike dhe në ngjarje apo aktivitet që ato i organizojnë. Ne shpresojmë që partitë në vitet e ardhshme, në zgjedhjet e ardhshme, do të kenë një vullnet më të madh që të dalin përtej kërkesave ligjore, duke avancuar tutje në përfshirjen e grave si në lista, ashtu edhe në hapësirën që iu ofrojnë përbrenda partive”, shprehet Haxholli.

Hulumtuesja e KDI-së, shprehet se partitë politike nuk po kanë vullnet për përfshirje të grave në gara zgjedhore, përtej asaj që parashihet me ligjin për zgjedhje.

Në bazë të këtij ligji kuota gjinore duhet të jetë 30%.

“Edhe në këto zgjedhje nuk ka pas një dallim shumë të madh në mënyrën se sa partitë politike që po garojnë në zgjedhje i kanë përfshirë gratë në listat e tyre. Kërkesa e ligjit për zgjedhje është që gratë të jenë 30% të përfshira në lista, ndërsa ligji për barazi gjinore thotë që duhet të jenë në pozita publike 50%. Partitë politike nuk kanë dal shumë përtej këtij 30%, sillen aty diku te 35%, Vetëvendosje e kishte 37%, PDK dhe LDK 34%, AAK 32 dhe Lista për Familjen 31%. Pra, partitë nuk kanë pas ndonjë vullnet të madh që të dalin përtej kërkesës që e parasheh ligjit për zgjedhjet”, u shpreh ajo.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit garon me 41 gra, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës me nga 38 kandidate gra. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në listën e kandidateve për deputet i ka gjithsej 36 gra, e Koalicioni për Fëmije, garon me 24 gra kandidate për deputete.

Për zgjedhjet parlamentare të parat të rregullta pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar. Ndërsa, më 9 shkurt qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqjen e re të vendit.