Në fund të mandatit- Hapet tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në disa komuna. Tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm do të zbatohet në komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, teksa  vlera e tij është mbi 38 milionë euro. “Ta…

Lajme

29/11/2024 20:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në disa komuna.

Tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm do të zbatohet në komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, teksa  vlera e tij është mbi 38 milionë euro.

“Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Këtë e bën projekti ynë i Banimit të Përballueshëm, që siç e kemi premtuar edhe do ta realizojmë”, ka shkruar Kurti në Facebook..

Ai ka thënë se për këtë projekt kanë punuar nga fillimi i mandatit.

“Në prill të vitit 2021 formuam komitetin këshillues për studimin e fizibilitetit, në shkurt 2022 kemi pranuar studimin e fizibilitetit ku theksoheshin rrugët që duhet ndjekur, çështja e pronave dhe sfidat që parasheh ky projekt, në shkurt të vitit 2024 hapëm thirrjen për të gjitha komunat që të aplikojnë për banim të përballueshëm, në korrik 2024 miratuam në Qeveri projektligjin për këtë projekt; dhe sot, 29 nëntor 2024 po e hapim tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka njoftuar se ndërtimin e banimit të përballueshëm shumë shpejt do ta procedojnë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë.

“Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, ndërkaq shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë. Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim”, ka shkruar tutje Kurti.