Ne fituam, Kryetari humbi

Ish \"Numri Dy\" i Komunës së Prishtinës, Shefki Gashi, thotë se në Prishtinë LDK ka fituar bindshëm, por ka humbur vetëm Kryetari i saj, Isa Mustafa. Ndonëse pohon se s'është kompetent të flasë për këtë. Mendon se Hashim Thaçi ka humbur më shumë se Isa Mustafa.

Lajme

08/12/2013 16:46

Ish Nënkryetarit të Prishtinës, Shefki Gashi, nuk i vjen mirë që javën e kaluar, Kryetari i tij dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, humbi garën në Prishtinë.

Ai u mund nga Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, i cili do të marrë së shpejti edhe zyrtarisht drejtimin e Prishtinës.

“S’kemi çfarë të bëjmë tash. Kemi humbë se ashtu deshën qytetarët”, thotë Gashi për lajmi.net.

“Qytetarët ishin ata që votuan kësisoj”.

“LDK’ja ka fituar në Prishtinë, por Kryetari s’ka fituar. LDK i ka 18 Asamblistë. Unë jam një nga ta, me 1171 vota”.

“E si Kryetar, ka humbur Kryetari. Çfarë të them unë… Elektoratit duket se i është mbushur mendja për ta ndërruar njëherë pas 20 vjetësh, çfarë të bëjmë tash…”.

Shefki Gashi, i cili është Asamblisti i tetë më i votuar nga LDK, thotë se nuk sheh arsye për dorëheqje të dikujt pas kësaj humbjeje.

Sipas tij, dorëheqja nuk është zgjidhje, pasi po të ishte, atëherë dorëheqje do të duhej të ofronte Kryeministri i Kosovës.

“Unë si një anëtar i thjeshtë nuk parashoh dorëheqje”.

“Dorëheqja s’është zgjidhje, sepse po të ishte ashtu, atëherë dorëheqje do të duhej të jepte Hashim Thaçi, të cilit i ka humbur partia në mbarë Kosovën”.

“Por, mendoj se nuk është zgjidhje ajo. Qytetarët e kanë shprehur vullnetin e vet kësaj here që me i udhëheqë dikush tjetër”.

“LDK i ka votat që i kishte, diku nja 45-46 për qind”.

“Kjo s’është humbje për Rugovizmin”.