Në Ferizaj deri në mesditë votuan rreth 15 mijë qytetarë

Në Ferizaj procesi zgjedhor është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi deri tash.

Lajme

06/10/2019 14:41

Në këtë qytet deri në mesditë kanë votuar mbi 10 për qind të votuesve. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 112 mijë e 243 persona.

Shaban Rexha kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor në Ferizaj theksoi për KosovaPress se procesi zgjedhor në këtë komunë është duke shkuar  në mënyrë të rregullt dhe nuk ka asnjë pengesë në procesin e votimeve.

“Deri më tash prej mëngjesit kur kemi hapur qendrat e votimit, të cilat janë hapur me kohë në të gjithë vendvotimet pa asnjë vonesë, procesi zgjedhor ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe asnjë pengesë në procesin e votimeve. Nuk kemi pasur mungesë të materialit zgjedhor. Pra, deri më tash jemi të kënaqur me rrjedhën e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt. Deri në orën 11:00 kanë dalë të votojnë 11 mijë e 160 votues apo me përqindje 9.94 për qind”, deklaroi Rexha.

Basri Hasani, menaxher në qendrën e votimit 2501D në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj thotë se kjo qendër është hapur me kohë në orën 7:00, dhe deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 16 për qind.

“Është një proces normal dhe qytetarët po e kryejnë obligimin e tyre qytetar. Kjo qendër e votimit numëron diku 9 mijë e 640 votues dhe deri në këto momente që po flasim nuk kemi pasur ndonjë shqetësime që vlen të theksohet. Deri tash(ora13:00), numri i votuesve është 1 mijë e 540 votues apo rreth 16.30 për qind. Deri në orën 13:00 këtë fluks kemi pasur”, deklaroi Hasani.

Qytetarja Imrane Halili,  e  cila ka ardhur nga Zvicra për të votuar në Ferizaj, tha se nga këto zgjedhje pret ndryshime pozitive për qytetarët e Kosovës dhe të atyre në diasporë.

“Jam ardhur prej Zvicrës me votu. Presim me u bë mirë në vendlindjen tonë. Dëshirojmë t’i shohim qytetarët duke jetuar më mirë, me perspektivë, e jo me dalë rinia në kurbet”, u shpreh ajo.

Mirëpo, pati edhe qytetarë, të cilët nuk presin shumë nga të zgjedhurit.

Azem Guta tha se sot ka kryer obligimin e tij qytetar, por që u shpreh i zhgënjyer nga këto zgjedhje. Ai tha se nuk pret asgjë nga të zgjedhurit, e që sipas tij Kuvendi po mbushet me analfabetë.

“Po, votuam e kryem një obligim qytetar, edhe pse të zhgënjyer. Asgjë nuk presim prej këtyre zgjedhjeve, sepse po e mbushim parlamentin e Kosovës me analfabeta dhe me hajna. Asgjë tjetër”, deklaroi Guta.

Numri i përgjithshëm i vendvotimeve në Ferizaj është 147.