“Në emrin e kujt kjo heshtje” Ku mbetën protestat për çlirimtarët?
Për 21 ditë radhazi qytetarë të shumtë protestuan duke mbushur sheshet, rrugët dhe çdo cep të kryeqytetit. Nga çdo vend i Kosovës mblidheshin bashkë herë gjatë ditës, e herë gjatë natës që të protestonin njëzëri. Kërkesat e kësaj proteste ishin që të miratohej Ligji në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe zëshëm të…
Lajme
Për 21 ditë radhazi qytetarë të shumtë protestuan duke mbushur sheshet, rrugët dhe çdo cep të kryeqytetit.
Nga çdo vend i Kosovës mblidheshin bashkë herë gjatë ditës, e herë gjatë natës që të protestonin njëzëri.
Kërkesat e kësaj proteste ishin që të miratohej Ligji në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe zëshëm të kërkohej liri për ta- duke ua mundësuar edhe një përkrahje më të gjerë financiare përmes mekanizmave shtetërorë.
Por këto protesta thuhej se drejtoheshin nga Çlirim Haziri, të cilat protesta i quajti “Jo në Emrin tim” dhe duke tentuar që t’i shfaqë këto protesta si gjithëpopullore dhe jo partiake.
Në këto protesta morën pjesë qytetarë të shumtë, të moshave të ndryshme e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Madje në natën kritike kur edhe u përshkallëzua situata, protestuesit vendosën që të mos i lënë deputetët të dalin nga objekti i Kuvendit, ku më pas nisi edhe përplasja në mes tyre dhe policisë që vazhdoi me hedhje të mjeteve piroteknike, përdorim të sprejit dhe të gazit lotsjellës.
Por ku mbetën këta protestues?
Që nga nata kur në Kuvendin e Kosovës u votua në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë e ku protestuesit brohoritnin nga gëzimi jashtë Kuvendit, zëri i tyre nuk u dëgjua më.
Nuk dihet nëse këta protestues u “mjaftuan” me votimin e këtij ligji që në bazë nuk shihet t’u sjellë asnjë lehtësim të drejtpërdrejtë çlirimtarëve në Hagë, apo çfarë planifikohet tutje.
Organizatori i kësaj proteste, Çlirim Haziri pati thënë se protestat do të vazhdojnë që të nesërmen, por as ai nuk u dëgjua më.
Por që nga data e votimit të këtij ligji, apo më saktësisht për gati një javë asnjë protestë nuk u thirr më dhe asnjë zë nuk u dëgjua, shkruan lajmi.net.
Derisa në publik tanimë po diskutohet nëse vërtet ky Ligj do të ketë fuqinë që t’ua lehtësojë procesin 4shes në Hagë, një heshtje e çuditshme veçse ka kapluar protestuesit e zëshëm të para disa ditëve.
Ndryshe Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Por, votimi në Kuvend nuk është edhe fundi i procesit.
Brenda tetë ditësh nga data e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, që i bie edhe dy ditë tutje ligji parashihet të nënshkruhet dhe të shpallet nga presidentja e porsazgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula. Nëse ajo nuk vepron brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Ligji për Specialen, me ndryshimet e miratuara në Kuvend, parasheh, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Gjykatës në Hagë, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.
Ky ligj parasheh, gjithashtu, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë, si dhe mundësinë për falje presidenciale.
Megjithatë, sipas Hysenit, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit të veçantë.
“Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk nënkupton zbatimin e tyre automatik në procedurat gjyqësore. Ligji duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa zbatimi konkret kërkon respektimin e pavarësisë gjyqësore, hierarkisë së normave juridike dhe detyrimeve ndërkombëtare”, thekson ai.
Shala, ndërkaq, pohon se në rast se ligji – përfshirë edhe ndryshimet në të – shpallet, ai bëhet pjesë e rendit juridik të Kosovës dhe synon të ndryshojë kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara.
Por, edhe ai beson se ligji nuk e obligon menjëherë Specialen për zbatimin e tij.
“Jo automatikisht, dhe jo në mënyrën që mund të krijojë përshtypjen se Kuvendi mund t’i ndryshojë njëanshëm procedurat në Hagë”, thekson Shala.
Ai shton se funksionimi i Gjykatës Speciale mbështetet në Amendamentin 24 të Kushtetutës, Marrëveshjen e ratifikuar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe Marrëveshjen e Shtetit Pritës, me Holandën.
“Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme. Për këtë arsye, Kosova nuk mund t’i ndryshojë vetëm me ligj të brendshëm obligimet që ka marrë ndaj Holandës, BE-së dhe mekanizmit të Dhomave të Specializuara”, thotë Shala.
Ai thekson se çdo transferim i personave, dosjeve, provave ose ekzekutim i dënimeve në Kosovë “kërkon procedura konkrete, bashkëpunim institucional dhe pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse”.
Juridiksion më i ngushtë
Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara.
Ligji synon ta lidhë juridiksionin e tyre me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Në juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
Kjo do të nënkuptonte heqjen nga juridiksioni i Speciales të krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.
Ndryshon edhe periudha kohore
Ligji i deritashëm u jepte Dhomave të Specializuara juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ligji i ri kërkon që kjo periudhë të nisë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000.
Pra, periudha para 1 korrikut 1999 hiqet nga juridiksioni kohor i Speciales.
Ndryshim kërkohet edhe në aspektin territorial.
Juridiksioni kufizohet në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.
Specialja ka trajtuar edhe pretendime për krime të kryera në veri të Shqipërisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me dënimet.
Ligji kërkon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet, të jetë 15 vjet burgim.
Në dokument kjo lidhet me parimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin – lex mitior – sipas të cilit zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për personin e dënuar.
Në aktgjykimin e 16 shtatorit, tre prej katër të akuzuarve morën dënime më të larta se kufiri prej 15 vjetësh që propozohet me projektligj.
Rastet jashtë juridiksionit kalojnë në Kosovë
Ligji parasheh që rastet që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, të transferoheshin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës.
Bashkë me rastin do të transferoheshin edhe dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në rastet ku një aktakuzë përmban akuza që hyjnë në juridiksionin e ri dhe të tjera që mbeten jashtë tij, procedura do të ndahej.
Pjesa jashtë juridiksionit do të transferohej në Kosovë.
Personat e ndaluar në rastet që transferohen, do të silleshin në Kosovë dhe, sipas ligjit, do të duhej të dilnin para një gjyqtari brenda 48 orësh, për të vendosur për masën e sigurisë sipas ligjeve vendore.
Ligji parasheh edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.
Një grua mban një gazetë me portretin e gjeneralit kroat, Ante Gotovina, ku shkruan “hero”, ndërsa ndjek transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv të aktgjykimit ndaj tij. Zagreb, 15 prill 2011.
Ndryshimet në ligj parashohin gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund t’i mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës.
Personave të dënuar me vendim të formës së prerë do t’u hapej edhe mundësia që të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.
Megjithatë, zbatimi i kësaj dispozite mund të ngrejë çështje juridike.
Ligji aktual për Faljen përjashton nga e drejta për të kërkuar falje personat e dënuar për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.
Çfarë ndodh me rastet që janë në proces?
Sipas shpjegimeve të PDK-së, procedurat aktuale të apelit do të vazhdonin brenda strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara.
Nëse Apeli do të urdhëronte rigjykim, atëherë do të zbatohej juridiksioni i ri.
Nëse rasti nuk do t’i plotësonte kriteret e reja, ai do të mund të transferohej në Kosovë.
Pra, miratimi i ligjit nuk nënkupton vetvetiu anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar.
Jo domosdoshmërisht.
Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës.
Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Ndryshe në një deklarim për REL, Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së dhe janë të papranueshme.
Duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, më 12 tetor, Kos kritikoi ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.
Sipas saj, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha ajo./Lajmi.net/