​Në Ditën e Çlirimit kujtohet veprimtaria e Rugovës dhe Demaçit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vendosur lule pranë varrit të ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në Ditën e Çlirimit të Kosovës. Kurti tha se më 26 qershor 1999 filloi paqja në Kosovë, derisa për Rugovën tha se ishte kontribuues i madh për çështjen kombëtare. “Me rastin e 26…

Lajme

12/06/2025 11:37

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vendosur lule pranë varrit të ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Kurti tha se më 26 qershor 1999 filloi paqja në Kosovë, derisa për Rugovën tha se ishte kontribuues i madh për çështjen kombëtare.

“Me rastin e 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ditës kur filloi paqja në vendin tonë dhe për popullin tonë, duke vënë lule të freskëta te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, një kontribuues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi, gjatë gjithë viteve të 90 dhe më pas, te presidenti i parë i Kosovës, dhe më pas do të vazhdojmë te varri i simbolit të rezistencë, Mandelës të shqiptarisë dhe Evropës, Adem Demaci, për të vijuar me kompleksin Adem Jashari dhe varret e kryekomandantit Adem Jashari dhe e familjes Jashari, duke shënuar edhe gëzimin tonë për çlirim por njëkohësisht edhe kujtesën tonë për ata që punuan dhe sakrifikuan për larinë që kemi dhe shtetin që e ndërtojmë dhe zhvillojmë sot”, tha Kurti të enjten, më 12 qershor.

Ndërkaq, Demacin, Kurti e kujtoi si simbol të rezistencës dhe veprimtar të paeupr.

“Baca Adem, Adem Demaçi kur pati dalur nga burgu pati thënë që dola nga një burg i vogël në burgun e madh, sepse ishim nën okupimin e egër të Serbisë, me një regjim shovenist antishqiptar. Prandaj edhe dita e çlirimit 12 qershori, është si një thyerje e një burgu të madh që quhej në Kosovë, sepse u çlirua populli, dhe po tërhiqeshin të gjitha forcat policore e ushtarake të Serbisë. Andaj sot në Ditën e Çlirimit dhe të paqes, vumë lule të freskëta edhe te varri i bacës Adem si simbol i rezistencës sonë dhe veprimtar i paepur i cili nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka për më të mirën dhe më të mbaren e vendit tonë”, tha Kurti.

Njëzet e gjashtë vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.