Në disa shkolla në kryeqytet mësimi po mbahet me orar të shkurtuar, shkaku i temperaturave të ulëta
Muaji tetor në Kosovë ka filluar me temperatura shumë të ulëta, reshje shiu e gjithashtu edhe reshje bore gjatë javës së kaluar. Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme në mbarëvajtjen edhe të mësimit në shkollat publike në vend, kjo pasi ngrohja qendrore nga Termokos ende nuk është aktive. Në lidhje me këtë situatë, lajmi.net ka…

Lajme
Muaji tetor në Kosovë ka filluar me temperatura shumë të ulëta, reshje shiu e gjithashtu edhe reshje bore gjatë javës së kaluar.
Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme në mbarëvajtjen edhe të mësimit në shkollat publike në vend, kjo pasi ngrohja qendrore nga Termokos ende nuk është aktive.
Në lidhje me këtë situatë, lajmi.net ka dërguar pyetje tek Drejtoria e Arsimit në Prishtinë të cilët kanë konfirmuar këtë problematikë.
“Drejtoria Komunale të Arsimit, ju informon se në disa shkolla të Komunës së Prishtinës mësimi po zhvillohet me orar të shkurtuar për shkak të temperaturave të ulëta dhe mungesës së ngrohjes”, kanë thënë nga DKA në Prishtinë.
Përveç saj, nga kjo Drejtori kanë thënë për lajmi.net se në disa prej këtyre shkollave janë ndërmarrë masa alternative për ngrohje, duke përdorur sisteme të ngrohjes me pelet dhe me naftë, me qëllim sigurimin e kushteve minimale për zhvillimin e procesit mësimor.
“Drejtoria Komunale e Arsimit ka kontaktuar sot me drejtuesit e Termokosit dhe ka kërkuar që ngrohja të sigurohet para afatit zyrtar të përcaktuar. Sipas informacioneve të marra, janë duke u ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për funksionalizimin e sistemit të ngrohjes në shkollat e Komunës së Prishtinës, me qëllim rifillimin e ngrohjes nga dita e hënë e javës së ardhshme”, kanë thënë mes tjerash nga DKA në Prishtinë.
Lajmi.net ka dërguar pyetje ditë më pare edhe tek ndërmarrja Termokos në lidhje me ngrohjen në kryeqytet, dhe kur do të filloj sistemi i ngrohjes por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje, përveç se kanë njoftuar që janë finalizuar përgatitjet për fillimin e furnizimit me ngrohje nëpërmes Ngrohtores së QKUK-së për nevojat e klinikave të kësaj qendre mjekësore.
“Aktualisht, janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe gjithë sistemit të ngrohjes. Në rast se kushtet klimatike mbeten të njëjta, ditëve të ardhshme do të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje për gjithë konsumatorët tanë. NP “Termokos” po përcjell me kujdes të shtuar situatën meteorologjike dhe në koordinim të ngushtë me KEK-un, jemi në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin tonë”, pati njoftuar Termokos.
Temperaturat e ulëta pritet të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, ndërkaq ngrohja nuk dihet kur do të filloj për qytetarët e Prishtinës. /Lajmi.net/