Në dert me armët siriane

Pas refuzimit të Shqipërisë, po bëhet e vështirë gjetja e një vendi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Ministri i Jashtëm Holandez thotë se s’ka asnjë vend anëtar të BE'së që ka thënë \"OK, na i jepni”. E Westerwelle e ka hequr Gjermaninë nga lista.

Bota

19/11/2013 05:51

Shqipëria ishte parë si një vend i mundshëm për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por pas një reagimi të ashpër qytetar atje, brenda së cilit kishte frikë dhe protesta, kjo mundësi u hodh poshtë nga Kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, çështja nuk është zgjidhur dhe duket se po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e një vendi për asgjësimin e armëve të Asadit.

Pas refuzimit të Shqipërisë, mediat ndërkombëtare shkruajnë se shpresat më të mëdha ishin tek Belgjika, por së fundi edhe ajo ka refuzuar.

“Për ta bërë këtë këtu në shtëpi – nuk e shoh të mundshme, dhe po ashtu as në një periudhë më afatgjatë”, i ka deklaruar Pieter De Crem rrjetit VRT.

Ai ka theksuar se do të preferonte që shkatërrimi i këtij arsenali të bëhej diku afër Sirisë.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm Holandez, Frans Timmermans, është shprehur se “nuk ka asnjë vend anëtar që ka përpara dhe ka thënë: OK, na i jepni ne”.

Ministri i Jashtëm Gjerman, Guido Westerwelle, gjithashtu e ka hequr vendin e tij nga lista.

“Kur e shoh teknikisht  dhe nga shtrirja gjeografike po ashtu, atëherë unë mendoj se një diskutim i tillë nuk ka kuptim”, ka theksuar ai.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) ka miratuar një plan për shkatërrimin e armëve deri në mesin e vitit 2014, por nuk ka bërë publik vendin ku do të bëhet.

ONAK, pasi miratimi të planit, u shpreh se Shqipëria nuk ishte shpresa e vetme, ka alternativa të tjera.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke folur për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, e ka cilësuar me bazë shqetësimin e qytetarëve.

Ai ka thënë për mediat shqiptare se përfshirja në një proces të tillë, nëse do të kishin kapacitetet e duhura, do të rriste reputacionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, pasi nevojitej informacion në rast se do zhvillohej një veprim i tillë, çfarë situatash do krijonte ai, a ishin mundësitë në vendin tonë. Frika për një sasi të tillë lëndësh kimike krijoi shqetësimin e qytetarëve.”

“Plus që ne dhe në të kaluarën kemi pasur rast të tilla, siç është rasti i Gërdecit apo i rasteve të tjera në përmasa më të vogla.”

“Nuk mund të themi se ka qenë një shqëtësim pa baza. Në këto dy drejtime mendoj se Qeveria nuk mund t’i injoronte këto shqetësime.”

Sidoqoftë, Meta ka pohuar se Kryeministri Edi Rama ka shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe hapësirat se sa mund të kontribuonte Shqipëria për paqen në botë.