Në 45 milionë euro arriti borxhi i qytetarëve ndaj ujësjellësit “Prishtina” më 2025, punë nuk kryen as mbi 800 shkyçje

Gjatë vitit 2025, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka realizuar gjithsej 1,255 shkyçje të shërbimeve, si rezultat i mosrespektimit të obligimeve financiare dhe evidentimit të lidhjeve ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë. Këto shifra tregojnë sfidat e mëdha që përballet sistemi i ujësjellësit në kryeqytet dhe rrezikun që borxhet e grumbulluara paraqesin për funksionimin…

Lajme

02/01/2026 19:30

Gjatë vitit 2025, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka realizuar gjithsej 1,255 shkyçje të shërbimeve, si rezultat i mosrespektimit të obligimeve financiare dhe evidentimit të lidhjeve ilegale në rrjetin e furnizimit me ujë. Këto shifra tregojnë sfidat e mëdha që përballet sistemi i ujësjellësit në kryeqytet dhe rrezikun që borxhet e grumbulluara paraqesin për funksionimin normal të shërbimeve publike.

Sipas të dhënave zyrtare të dhëna për lajmi.net nga zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, 821 shkyçje janë kryer për shkak të borxheve të papaguara, ndërsa 434 raste janë identifikuar si lidhje ilegale, të cilat përbëjnë shkelje serioze të rregullave të furnizimit dhe dëmtojnë sistemin në tërësi.

“Gjatë vitit 2025 kemi intensifikuar kontrollet në terren dhe masat ndaj konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre financiare, si dhe ndaj atyre që kanë realizuar lidhje ilegale. Këto veprime janë të domosdoshme për të garantuar furnizim të rregullt dhe të drejtë për të gjithë konsumatorët”, ka deklaruar Mjeku për lajmi.net.

E të larta janë edhe shifrat e borxheve që konsumatorët kanë drejtuar kompanisë së Ujësjellësit “Prishtina”.

Më saktësisht borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve të ujësjellësit ka arritur mbi 45 milionë euro, një shifër alarmante që rrezikon funksionimin e kompanisë dhe investimet në mirëmbajtjen e rrjetit.

Struktura e borxhit sipas kategorive paraqet një disproporcion të theksuar: Amvisëritë mbajnë barrën më të madhe të borxhit, me mbi 40 milionë euro të papaguara, ndërsa bizneset kontribuojnë me rreth 5 milionë euro borxh.

Sfondi historik tregon se borxhet kanë pasur një rritje të vazhdueshme vitet e fundit.

Në vitin 2023, borxhi i papaguar i konsumatorëve ishte rreth 30 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 arriti në mbi 38 milionë euro. Kjo rritje tregon një tendencë shqetësuese që ka sjellë nevojën për masat më të ashpra të shkyçjeve dhe kontrollit të lidhjeve ilegale në rrjet.

Ekspertët e sektorit paralajmërojnë se nëse nuk ndryshohet ky trend, përveç ndikimit në stabilitetin financiar të kompanisë, mund të ketë pasoja direkte për furnizimin e qytetarëve dhe investimet e ardhshme në infrastrukturë.

Zëdhënësja Mjeku thekson se pagesa e rregullt e faturave është thelbësore për funksionimin e qëndrueshëm të sistemit të ujësjellësit, duke shtuar se vetëm përmes bashkëpunimit të konsumatorëve mund të sigurohet furnizim i pandërprerë dhe cilësor me ujë të pijshëm. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shlyejnë obligimet e tyre financiare ose të shfrytëzojnë mundësitë për marrëveshje pagese, në mënyrë që të shmangen masat ndëshkuese si shkyçjet nga rrjeti i ujësjellësit.

Nga KRU “Prishtina” bëhet e ditur se aksionet e kontrollit në terren do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me fokus të veçantë në identifikimin e lidhjeve ilegale dhe reduktimin e humbjeve në rrjet, të cilat sipas kompanisë ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe stabilitetin financiar.

Për qytetarët, këto masa janë një paralajmërim i qartë se borxhet e papaguara dhe lidhjet ilegale nuk janë vetëm çështje financiare, por ndikojnë edhe në furnizimin e përditshëm me ujë, ndërprerjet e mundshme dhe kostot shtesë për mirëmbajtjen e rrjetit. Pagesa e rregullt siguron që të gjithë të kenë qasje të barabartë në një shërbim jetik dhe mundëson investime të reja për përmirësimin e infrastrukturës.

Kompania rithekson se trajtimi i barabartë i të gjithë konsumatorëve dhe respektimi i rregullave ligjore janë parakusht për një sistem funksional dhe të qëndrueshëm të furnizimit me ujë, duke apeluar për përgjegjësi qytetare dhe ndërgjegjësim ndaj një burimi jetik si uji.

Në Kosovë furnizimi me ujë të pijes bëhet falë disa prej liqejve të cilët gjenden në anë të ndryshme të vendit. Për fat të mirë viteve të fundit ka pasur furnizim më të rregullt e ndërprerjet ishin më të rralla./Lajmi.net/