Ndryshon sheshi “Nënë Tereza”, për të pritur Papën
Punimet për rindërtimin e Sheshit Nënë Tereza në Tiranë kanë nisur këtë fundjavë për të qenë gati më 21 shtator kur Shqipërinë pritet ta vizitojë Papa Francesku.

Lajme
Në këtë shesh është planifikuar të mbahet mesha e shenjtë, predikimi i Atit të Shenjtë, lutja e engjëllit në Zot si dhe fjalët e Atit të shenjtë të cilat do të përcillen para mijëra qytetarëve që pritet të mblidhen në këtë ditë të rëndësishme.
Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të zhvilluar në fund të muajit korrik u miratua lëvrimi i një fondi prej rreth 3.3 milion dollarë nga Bashkia e Tiranës për restaurimin e sheshit Nënë Tereza.
Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se ndërhyrja nis me heqjen e shatërvanit shumëvjeçar, që prej vitesh luan rolin e një rrethrrotullimi, në vend të të cilit parashikohet ndërtimi i një pasqyre ujore së bashku me dy shatërvanë në anë të saj.
Ndërkohë që do të bëhet restaurimi i fasadës së godinës së Univeristetit Politeknik, Godinës së Rektoratit si dhe do të bëhet riveshja e shkallëve në të tre anët e sheshit Nënë Tereza.
Përveç këtyre objekteve restaurim fasade do t’i bëhet edhe godinës së Muzeut Kombëtar në të cilën janë vendosur skelat paraditen e së shtunës.
Sipas burimeve në Bashkinë e Tiranës punimet do të kryhen gjatë muajit gusht dhe në javët e para të shtatorit me ritme të shpejta me qëllim që gjithçka të jetë gati për këtë vizitë të parë të Papa Franceskut në Shqipëri.
Udhëtimi apostolik i Shenjtërisë së Tij, Papa Francesku, që do të zhvillohet në Tiranë më datën 21 shtator parashikon një agjendë të ngjeshur që do të zgjasë plot 11 orë në vendin tonë. Ai niset në orën 7 e 30 nga Aeroporti i Fiumicinos në Romë drejt Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë, ku do të pritet nga Kryeministri i vendit Edi Rama.
Me pas, nën një siguri të rreptë e cila mundësohet nga Vatikani dhe shteti shqiptar, Papa udhëton drejt presidencës në kryeqytet, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin dhe autoritete të tjera të vendit.
Në orën 11, në sheshin Nëna Tereza, Papa Francesku do të mbajë meshën e shenjtë. Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, Papa do të lëvizë me një makinë të thjeshtë të hapur, mundësuar nga autoritetet tona, dhe jo me makinën e bardhë që është parë të lëvizë gjatë vizitave të tij në vende të tjera.
Do të zhvillojë takime me Ipeshkvinë në Tirane dhe krerë të besimeve të tjera. Në agjendën e Papës është planifikuar dhe një vizitë në qendrën e fëmijëve Betania në Fushë-Krujë .
Nga Fushë-Kruja ai do të udhëtojë drejt Aeroportit Nënë Tereza, ku do të zhvillohet një ceremoni për largimin e Papës që përmbyllë vizitën tij në vendin tonë dhe në orën 20 nis fluturimi i Papa Franceskut drejt aeroportit të Fimucinos në Romë.
Kjo është vizita e dytë e një Pape, pas vizitës së Papa Gjon Palit të Dytë në prill të vitit 1993. (Top Channel)