Ndryshimi nis me Gjakovën

Mimoza Kusari-Lila sot zyrtarisht mori detyrën e Kryetares së Gjakovës. Kështu ajo thotë për lajmi.net se po përmbushet qëllimi i përfshirjes së saj në politikë, që ishte përmirësimi i gjendjes ekonomike në Gjakovë dhe një jetë më e mirë për banorët atje.

Lajme

16/12/2013 08:47

Mimoza Kusari- Lila mori sot zyrtarisht detyrën e Kryetares së Gjakovës, duke u bërë femra e parë në historinë e Kosovës në krye të një komune.

Zv/Presidentja e Aleancës për Kosovën e Re e nisi ditën e parë të punës së saj si Kryetare me homazhe të Varrezat e Dëshmorëve.

Kusari-Lila e mundi në garë Ish Kryetarin Pal Lekaj të AAK’së, në balotazhin e 1 Dhjetorit, duke i dhënë kështu fund qeverisjes në dy mandate të partisë së Ramush Haradinajt në këtë komunë.

Sot, ajo mori zyrtarisht detyrën e Kryetares, në një ceremoni pranim-dorëzimi të bërë në ambientet e Komunës së Gjakovës.

Me marrjen e detyrës së Kryetares, Kusari-Lila thotë për lajmi.net se po përmbushet qëllimi i përfshirjes së saj në politikë.

“Ky është momenti i finalizimit të një përpjekjeje, një sfide e cila për mua ka zgjatur 4 vjet në kuptimin e qëllimit të hyrjes sime në politikë e që ka qenë gjithmonë pushteti lokal dhe komuna e Gjakovës në veçanti për shkak të situatës atje”.

“Është një hap më afër drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të komunës së Gjakovës, por natyrisht edhe fillim i sfidës dhe përpjekjeve të mirëfillta për të organizuar jetën atje më mirë”.

Pranim dorëzimi i detyrës, Gjakovë 16 Dhjetor.

Por, cilat do të jenë punët e para në agjendën e Kryetares së re të Gjakovës?

“Punët e para janë ballafaqimi me situatën aktuale në mungesë të ngrohjes nga ngrohtorja e qytetit por edhe në shkolla, të cilat janë pa ngrohje të siguruar”.

“Gjithashtu do të merrem drejtpërdrejt me ristrukturimin dhe organizimin e punëve në komunë, me emërimin e drejtorëve të rinj që janë të domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve, formimin e qeverisjes lokale, dhe pastaj do të fillojmë në secilin dikaster punët prioritare”.

“Natyrisht edhe realizimin e vizionin tonë, vizion ky i cili e parasheh një kthesë në kuadër të jetës dhe zhvillimeve ekonomike komunën e Gjakovës”.

“Për ne tash është edhe sezona e Kërshëndellave dhe Vitit të Ri, kemi filluar përgatitjet për një organizim të mirëfilltë çka nuk ka qenë më herët në komunën e Gjakovës dhe besoj se kjo do të jetë një shenjë pozitive e optimizmit të këtyre banorëve të Komunës”.

“Gjakovarët kanë marrë premtime mjaft, domethënë i kemi pasur 2 muaj të plotë, tërë kohën kemi dhënë premtime, tash është koha e realizimit të atyre premtimeve”.

“Gjatë gjithë atyre premtimeve të cilat i kam dhënë, përfshirë të gjitha sferat si zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punësim të ngritur, integrim të komunës së Gjakovës dhe lidhje të ndërsjella me komunat tjera në kuptimin edhe rrugëve rajonale por gjithashtu edhe qasjeve të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Bashkitë në anën tjetër të kufirit”.

“Natyrisht, një kualitet të ngritur të jetës në aspektin e arsimit, shëndetësisë por gjithashtu edhe edhe në kultur dhe sport, duke e ditur që ka pasur një ngecje shumë serioze në këto vitet e fundit në komunën e Gjakovës në këta sektorë”.

Ndryshe, Gjakova është komuna e parë ku është bërë ndryshimi i pushtetit, pas raundit të dytë të balotazhit.

Mimoza Kusari –Lila është e para nga fituesit e balotazhit që mori detyrën e re.