Ndryshimi i klimës, kërcënim për planetin tonë

Ndryshimi i klimës përbën një kërcënim në rritje për shëndetin, ka paralajmëruar OKB, duke thënë se moti ekstrem dhe temperaturat në rritje mund të bëjnë që të vdesin me qindra mijëra njerëz dhe të përhapen sëmundje.

Lifestyle

30/08/2014 00:14

“Ndryshimi i klimës nuk është më vetëm një problem mjedisor”, tha Diarmid Campbell, kryesuesi i ekipit të Ndryshimeve Klimatike në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Agjencia e OKB-së të mërkurën filloi një konferencë tre-ditore në bazë të saj në Gjenevë, duke i shpalosur së bashku çështjet e klimës dhe shëndetit, transmeton Lajmi.net.

Qëllimi është që shëndeti të vendoset në qendër të vëmendjes në një Samit të posaçëm për Klimën në Nju Jork më 23 shtator.

Campbell ishte autori kryesor i kapitullit shëndetësor në një raport të ri nga Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike, i cili shfaqi një raport të zymtë.

“Nëse ne nuk veprojmë për të reduktuar emetimet e gazit, ne do të jetojmë në një planet i cili në thelb është i papërshtatshëm për jetesë, pasi që do të bëhet shumë i dëmshëm për shëndetin tonë”, tha ai.

Ndryshimet e klimes ndikojnë në një mori burimesh shëndetësore të ndërlidhura mes vete, të tilla si ajër i pastër, ujë të pijshëm, ushqim dhe strehim.

Temperaturat e ngrohta dhe modelet e ndryshuara të reshjeve mund të zgjerojnë gamën e shpërndarjes së sëmundjes malarja përmes mushkonjave dhe etheve tropikale, transmeton Lajmi.net. 

Sipas të dhënave, në normat aktuale të ndryshimit, një shtesë prej 250.000 jetave do të humben në vit mes vitit 2030 dhe 2050.

Ekspertët theksojnë se thatësirat gjithnjë e më të shpeshta, ekstreme dhe të gjata, në rajone tradicionalisht që vështirë kanë pasur kësi klime, rrisin rrezikun e mungesës së ujit edhe në vende të tjera, dhe kjo të ndikojë në gjithë bujqësinë.