“Ndodhemi para një situate juridike të paqartë” -KPK deklarohet pasi Gjykata Supreme anuloi vendimin e shkarkimit të Besim Kelmendit
Gjykata e Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D i Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo Gjykatë ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e tij nga kjo pozitë, duke e cilësuar të kundërligjshëm, dhe e ka kthyer këtë lëndë në rishqyrtim dhe rivendosje në KPK. Nga…
Lajme
Gjykata e Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D i Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo Gjykatë ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e tij nga kjo pozitë, duke e cilësuar të kundërligjshëm, dhe e ka kthyer këtë lëndë në rishqyrtim dhe rivendosje në KPK.
Nga Gjykata Supreme kanë thënë se, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore, kanë gjetur se ankesa është e bazuar.
“Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se U.D i kryeprokurorit të shtetit, përmes deklarimeve në Këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm. Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar.
“Është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Në lidhje me këtë vendim, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj ka thënë për lajmi.net se janë në një situatë juridike të paqartë.
“Njoftohet opinioni publik se ndodhemi para një situate juridike të paqartë, pasi që për të njëjtën çështje janë iniciuar dy lëndë gjyqësore dhe se vendimet e dy instancave të ndryshme të gjykatave janë të ndryshme”, ka thënë Hajdaraj për lajmi.net.
Ai ka thënë se KPK do ta trajtojë këtë vendim dhe do të caktojë takim të jashtëzakonshëm.
Besim Kelmendi është shkarkuar më 20 nëntor nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me pesë vota për.
Në takimin e 20 nëntorit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), zëvendëskryesuesja e Këshillit, Jehona Grantolli ka propozuar shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke iu referuar zhvillimeve të fundit, e ku Kelmendi një ditë më parë ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale, e që ka të bëjë me raportimet se ai ishte i pranishëm në Reçak kur ndodhi masakra.
“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e U.D. Besim Kelmendit, i cili është pozicionuar së fundmi me një grup të anëtarëve të KP dhe i cili më nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial, për të cilin është zotuar në marrjen e detyrës. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme që janë publike, që Këshilli Prokurorial të kërkojë shkarkimin e U.D.-së, kërkoj që kjo pikë të futet në mbledhje, me propozimin për shkarkimin e tij. KPK para më shumë se tre vjetësh, përkatësisht unë si anëtare e Këshillit, kam propozuar ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit; madje kemi bërë një “luftë” mes anëtarëve se kush do ta propozojë Besim Kelmendin, i cili gjatë karrierës së tij ka treguar rezultate dhe profesionalizëm. Por, me kalimin e kohës — tashmë kanë kaluar tre vite — për shkak të një vendimi politik të Presidentes për të mos e dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit, dhe të vetëdijshëm që ishim në një situatë të vështirë, në atë kohë është menduar se prokurori më i mirë dhe më i përshtatshmi ishte Besim Kelmendi. Por besoj se edhe ju e dini, dhe i kemi ndjekur të gjithë zhvillimet e fundit. Janë krijuar paqartësi e debate që neve nuk na shërbejnë, sidomos Këshillit Prokurorial. Ne jemi zotuar të bëjmë drejtësi, por jo drejtësi të shkruar vetëm në letër, që shfaqet në sloganet e deklaratat formale, por drejtësi që garanton besimin e publikut, sepse drejtësia pa besim është një ndërtesë bosh. Vendimmarrjet në këtë Këshill u shërbejnë interesave të ngushta personale dhe në këtë pikë në këtë grup është involvuar U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit. Vendime që nuk peshojnë ligjin, por privilegjet; që nuk mbrojnë të vërtetën, por përfitojnë nga heshtja. Po ashtu edhe akuza të rënda ndaj bartësve të sistemit prokurorial”, tha ajo.
Më tej e Grantolli tha se “Drejtësia nuk mund të jetë arenë për lojëra interesi, e të udhëhiqet nga zëra të frikësuar. Nuk mund të shndërrohet në skenë të pazarit politik, ekonomik apo personal. Në këtë institucion nuk ka vend për ego, kalkulime, nuk ka vend për të mbrojtur të fortit. Këtu, besoj, e dimë të gjithë se ka vend vetëm për të vërtetën”.Këtu reagoi Besim Kelmendi, duke thënë se fjalimi i saj u lexua mirë nga dikush që ia ka shkruar.
Për këtë kishte reaguar ashpër Kelmendi, duke thënë se kjo po bëhet me tendencë dhe për qëllime të grupeve e që është në interes vetëm të një individi dhe se kjo është kundër çdo etike.
“Sot nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial doli një propozim, të cilin ajo e lexoi, por nuk dihet se kush ia ka shkruar. Ndoshta ai është zëdhënësi i tyre në media. Një dhe i vetëm. Kam dëgjuar shumë mirë çka ke thënë. Nëse është dikush pjesë e grupeve, tregoni cili grup është”, deklaroi Kelemendi.Megjithatë, Kelmendi ka theksuar se nuk do të jap dorëheqjeje dhe do të qëndroj stoik ndaj planeve dhe do ta mbrojë sistemin prokruorial.“K ardh koha e fundit se ky njeri ta kuptojë se ka ardh koha për një sistem prokurorial të ndershëm, e që ka fuqi ta mbrojë Kushtetutën dhe Ligjin. Do të isha shumë i lumtur sikur mos të kisha qenë kurrë pjesë e këtij KPK dhe kurrë nuk jam ndi më keq se këto ditët e fundit kur u bë plani për larimin tim nga kjo pozitë. Ka qenë shumë e letë të ofrojë dorëheqje por duke parë këtë plan e këtë strukturë, kam vendos që deri në fund të qëndroj stoik e ta mbrojë Prokurorinë e Shteti. Krejt kjo po ndodhë për shkak të një anëtari të ri të KPK-ë. Humbi kandidati i njerëzve të interesuar dhe tani po bëjnë përpjekjet e fundit për të shkatërruar procesin dhe njerëzit që janë këtu për të mbrojtur procesin”, tha Kelmendi.
Gjatë diskutimit në këtë takim, anëtari Visar Krasniqi lëshoi mbledhjen.
Kelmendi, pak ditë para se të shkarkohet, u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit për rastin e masakrës së Reçakut.
Ai e pranoi në një konferencë për media se ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 1999, në një periudhë kur vendi sundohej nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviqit.
Pas shkarkimit të tij nga KPK, në mbledhje ky Këshill propozoi dhe vuri në pozitë e U.D të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorin Agron Qalaj. Qalaj ishte i pranishëm disa herë radhazi në mbledhjet ku mungonte Besim Kelmendi./Lajmi.net/