Ndikimi i Rusisë në Evropë përmes kishave
Kur një klerik i lartë në Maqedoni ka bekuar ndërtimin e një kishe ortodokse ruse vitin e kaluar, ai ka thënë se kisha do të jetë “një copë e shpirtit rus” në vendin ballkanik.
Bota
Por, disa maqedonas druajnë se kisha mund të jetë një copë e muskujve rusë në vendin e tyre të vogël.
Në ceremoninë e përurimit në Shkup, në qershor të vitit 2014, personazh kryesor ka qenë Sergei Samsonenko, një biznesmen i pasur rus, i cili zotëron ekipet maqedonase të hendbollit dhe futbollit.
Kisha “do të lidhë ngushtë dy vendet, pasi ka një afërsi të madhe shpirtërore”, ka thënë Samsonenko, raporton Evropa e Lirë.
Ceremonia po ashtu është ndjekur nga ambasadori rus.
Kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, kryepeshkopi Stefan, ka bekuar vendin ku kisha ruse do të përfundojë këtë vit.
Edhe pse shteti prej 2 milionë banorësh ka rreth 2,000 kisha, Stefan ka thënë se “akti i sotëm i përcaktimit të themeleve të kishës ruse është i një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi do të kontribuojë në afrimin e Rusisë dhe të popullit maqedonas”.
Disa dyshojnë se Rusia mund të ketë plane më të mëdha se afrimi.
Në bisedat me Radion Evropa e Lirë në Shkup, zyrtarët kanë shprehur shqetësimin se Rusia mund të bëjë përpjekje që të përdorë Kishën Ortodokse për të avancuar interesat e saj në Maqedoni.
Një zyrtar ka thënë se Rusia – të cilën kritikët e Kremlinit e kanë akuzuar vazhdimisht për përdorim të gazit natyror dhe të naftë si leva të ndikimit në Evropë – e sheh ndërtimin e kësaj kishe si pikëmbështetje në vendet e huaja, pa shkaktuar alarm apo kundërshtim të zëshëm.
“Ndërtimi i kishave shihet si një gjë e mirë. Si mund të argumentojë dikush ndryshe”, ka thënë zyrtari maqedonas, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Por, kjo çështje ka bërë jehonë edhe në vendet e tjera evropiane, ku kishat ruse janë ndërtuar ose janë në plan.
“Gjatë dy dekadave të fundit, Rusia ka bërë përpjekje që të marrë nën juridiksionin e saj të gjitha famullitë ortodokse, që janë ndarë nga Kisha Ortodokse Ruse në Moskë, pas Revolucionit rus”, thotë Irina Papkova, studiuese e politikave ruse në Universitetin Georgetown në Uashington.
“Por, në rastin e disa famullive evropiane, kjo nuk ka funksionuar. Andaj, Moska ka thënë: ‘Mirë, ju bëni si të doni, por ne do të ndërtojmë kisha gjithandej Evropës që do të jenë nën juridiksionin e Moskës”, shton Papkova, e cila është autore e librit Kisha Ortodokse dhe Politikat Ruse.
Pasi bolshevikët, militantë ateistë, kanë marrë kontrollin në revolucionin e vitit 1917, shumë kisha ortodokse ruse në Evropë kanë transferuar aleancën e tyre nga Patriarkana e Moskës te Patriarkana e Konstandinopojës.
Agjencitë sovjetike të sigurisë kanë vrarë mijëra priftërinj dhe kanë rekrutuar mijëra të tjerë si informatorë.
Kisha Ortodokse e Rusisë ka gëzuar ringjallje të madhe që nga shpërbërja sovjetike më 1991, por reputacioni i saj është njollosur nga akuzat se shumë klerikë, përfshirë edhe udhëheqësin e saj aktual, patriarkun Kirill, dhe paraardhësin e tij, Aleksy II, kanë qenë informatorë të KGB-së.
Kisha ruse në Shkup është njëra prej disa kishave që janë iniciuar nga Aleksy ose Kirilli, i cili është zgjedhur në vitin 2009, pas vdekjes së paraardhësit të tij, dhe ka mbështetur zëshëm presidentin rus, Vladimir Putin.
Ndërtimi i një kishe ortodokse ruse në kryeqytetin e Estonisë, Talin, është financuar nga burime të lidhura me Vladimir Yakunin, aleat i Putinit, i cili drejton kompaninë shtetërore të hekurudhave të Rusisë.
Agjencitë estoneze të inteligjencës kanë thënë se disa mjete të destinuara për ndërtimin e kishës, janë kanalizuar përmes partisë së politikanit pro-rus, Edgar Savisaar, i cili kryesisht përfaqëson rusët etnikë.
Në Paris, një katedrale ortodokse ruse, gati e përfunduar, është financuar nga Qeveria e Rusisë, ndërsa në Strasburg, një kishë ortodokse ruse është duke u ngritur pranë Parlamentit Evropian.
Thomas Bremer, profesor i studimeve katolike dhe i kishave lindore në Universitetin Muenster në Gjermani, thotë se ka një aryse për praninë e re të Rusisë në Maqedoni.
“Maqedonia ka marrëdhënie të trazuara me Greqinë, andaj, në nivel të kishave, është i kuptueshëm krijimi i marrëdhënieve më të afërta me Rusimë”, thotë Bremer.
Departamenti për marrëdhënie me jashtë i Patriarkanës së Moskës nuk i është përgjigjur kërkesës për koment të Radios Evropa e Lirë, ashtu si edhe Kisha Ortodokse e Maqedonisë.