Ndihmë turke

Agim Çeku ka marrë një infuzion nga një subjekt politik që përfaqëson komunitetin turk, PDTK. Ai beson se do ta ketë një mbështetje të turqve, pasi ky komunitet nuk ka Kandidat për Kryetar Komune.

Lajme

31/10/2013 15:11

Tri ditë para hapjes së kutive të votimit, Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku ka marrë një infuzion nga një subjekt politik që përfaqëson komunitetin turk.

Ai ka vizituar sot zyrat e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, me ç’rast ka kërkuar të votohet nga komuniteti turk në Prishtinë.

Çeku beson se do ta ketë një mbështetje të turqve, pasi ky komunitet nuk ka kandidatë për Kryetar Komune.

“Partia Demokratike Turke ka listën e vet për asambleistë, por nuk kanë Kandidat për Kryetar të Prishtinës. Unë erdha këtu të kërkoj mbështetjen e tyre të më mbështesin mua si kandidat edhe i tyre për Kryetar Prishtine, një mbështetje të tillë besoj se do ta kem unë”.

“Kam respekt të jashtëzakonshëm për komunitetin turk në Kosovë në përgjithësi”.

“Është një komunitet që është integruar komplet një komunitet dinamik, një komunitet që shquhet për nga qytetaria e dinjitetshme e vjetër dhe mua më bën nder që të kem mbështetjen e tyre dhe kam nder që të jem kryetar i gjithë qytetarëve të Prishtinës pa marrë parasysh përkatësinë fetare, partiake kështu që unë, si kryetar, siguroj se do t`i jap hapësirë të mjaftueshme edhe në administratë edhe në punë edhe në jetën e përditshme”.

Cuneit Ustaibo, Kryetari i degës së Partisë Demokratike Turke të Kosovës në Prishtinë, ka thënë se Çeku do ta ketë përkrahjen e komunitetit turk.

“Ju e dini që edhe në Qeveri kemi marrë të gjitha përkrahjet nga Partia Demokratike e Kosovës”.

“Duke ardhur në pushtet PDK, ne kemi pas mbështetjen e tyre, me siguri që do të kemi edhe atë mbështetje me ardhjen në pushtet edhe në Komunën e Prishtinës një mbështetje që nuk e kemi pasur deri më tani”.

“Siç e dini, turqit janë popullata e dytë mbas shqiptarëve në Prishtinë me një numër shumë të lartë, edhe turqfolësit janë shumë në Prishtinë dhe besoj se do të mbështesim Kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Agim Ceku për kryetar të Komunës së Prishtinës”.