Ndeshja Kosovë-Turqi, Abdixhiku: Le të shkojmë në Botëror sonte, për popullin tonë e gjeneratat tona që shtruan rrugën për këtë ditë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar para ndeshjes historike Kosovë-Turqi që do të luhet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai ka thënë se sot janë përplot me emocione dhe se kjo nuk mund të jetë një natë e zakonshme, pasi jemi vetëm 90 minuta larg historisë. “Larg ëndrrës sonë gjeneracionale, me të…

Lajme

31/03/2026 19:38

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar para ndeshjes historike Kosovë-Turqi që do të luhet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ai ka thënë se sot janë përplot me emocione dhe se kjo nuk mund të jetë një natë e zakonshme, pasi jemi vetëm 90 minuta larg historisë.

“Larg ëndrrës sonë gjeneracionale, me të gjitha parafytyrimet që i kishim si fëmijë. Ne, në Botëror; pa na pyetur më askush se me kë je. Brazil, Argjentinë, Itali, Gjermani – nuk ka më rëndësi. Tani kemi shtetin tonë aty! Kosova në Botëror. Sa bukur tingëllon!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se rrugëtimi ynë në futboll është i jashtëzakonshëm, sepse siç ka shkruar ai, kemi ëndërruar me Fadil Vokrrin dhe përfaqësimin e tij jashtë ndërsa sot në fushën e tij synojmë majën e këtij përfaqësimi.

“Sepse futbolli i Kosovës nuk u rrit në kushte normale. U rrit nën pushtim, nën frikë, në mungesë e përjashtim. U rrit në shtypje. Në fusha ku loja ishte më shumë se lojë; ishte rezistencë. U zhvillua përmes refuzimesh, në një botë që shpesh nuk pranonte as vetë ekzistencën tonë si shtet. U ngrit në këmbë në dyshim, atëherë kur të tjerët thoshin se kjo kombëtare nuk duhej të ekzistonte hiç. Dhe ja ku jemi sot. Para 10 vitesh na bënë një vend në hartën e FIFA-s. Festuam se na u dha një mundësi. Kaq na duhej! Sot, 10 vite më pas, jemi 90 minuta larg Botërorit. Këta jemi ne!”, ka shkruar ai.

I pari i LDK-së ka thënë se kjo është historia jonë.

“Nuk dorëzohemi. Nuk ndalemi. Mangut asgjë! Bëjmë shtet. Bëjmë kombëtare. Ndërtojmë ëndrra. I realizojmë ëndrrat. Dhe pavarësisht se si përfundon kjo natë sonte, e ardhmja jonë do të jetë e bukur! Kemi arritur diçka që pak kush e arrin: besimin. Besimin se ja dalim. E kur Kosova beson në diçka, e bën; veç çështje kohe. Le të shkojmë në Botëror sonte! Për popullin tonë. Për gjeneratat tona që shtruan rrugën për këtë ditë. Për të gjithë ata fëmijë që dikur ëndërronin këtë ditë, për të gjithë ata që besuan, që punuan, që fituan! Forca djema!”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: