Ndërron LDK’në për AKR’në

Fidan Jupolli deklaroi se ka dhënë dorëheqje nga zëdhënësi i LDK’së. Ai kaloi në AKR, ku u prit nga Presidenti i saj, Behgjet Pacolli. Por, LDK thotë se Jupolli u shkarkua të premten - për mospunë dhe papërgjegjshmëri.

Lajme

22/09/2013 11:14

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Jupolli, të dielën, në një njoftim për media, deklaroi se ka dhënë dorëheqje nga kjo parti. Gjysmë ore më vonë, ai kaloi zyrtarisht në radhët e Aleancës për Kosovën e Re.

Në selinë e partisë së re  u prit nga Presidenti i saj, Behgjet Pacolli, me të cilin dolën bashkë para gazetarëve. Në konferencën për shtyp, të thirrur me këtë shkas, ish zëdhënësi i LDK’së tregoi arsyet e largimit të tij nga kjo parti.

“Unë e kam kuptuar se kontributi im në LDK tashmë është i panevojshëm, i papërfillshëm, i paqenë. Prandaj kam vendosur të jap dorëheqje nga posti i zëdhënësit të LDK’së”.

“Kur kam vendosur të kyçem në LDK, kam qenë i bindur se po bëhem aktor i ëndrrës së ngelur përgjysmë. Kam qenë i bindur se LDK po i hap dyert për ëndrrimtarët dhe idealistët e Ibrahim Rugovës. Se LDK po i hap dyert për forcat e reja, për ripërtritjen, për ringjalljen”.

“Kam qenë i gatshëm të sakrifikoj gjithçka nga vetja ime, që të jem një pjesë e vogël e ëndrrës së madhe. Por fatkeqësisht, pas shumë përpjekjeve dhe mundit të madh për të kuptuar realitetin brenda kësaj partie, kam ardhur në përfundim se ëndrra e Ibrahim Rugovës dhe vizioni i tij legjendar, ka vdekur bashkë me të”.

“LDK e sotme është vetëm një fosil i LDK’së së zotit Ibrahim Rugova. Kjo parti, për fatin e keq të Kosovës, nuk ka as potencial, as vullnet e as dije për ta vazhduar ëndrrën e Rugovës. Kjo parti, tashmë gjason në një klub të pensionistëve nostalgjikë për të kaluarën dhe pothuajse fare nuk brengoset për të ardhmen. Kurse e ardhmja e Kosovës, shfaqet kogja e zymtë dhe pa perspektivë, pa një alternativë të besueshme dhe reale nga kjo parti dikur e madhe”.

Pacolli, i shoqëruar nga kandidati i AKR’së për Prishtinën, Korab Sejdiu, mirëpriti ish zëdhënësin e LDK’së, të cilit i i premtoi para mediave se në partinë e tij do të gjejë mbështetjen e duhur.

“Në vazhdim të iniciativave të njerëzve të AKR’së për të mbajtur dyert hapur për ardhje të reja në AKR, sot po ju prezantojmë Fidan Jupollin. Një njeri plot kreativitet dhe dinamizëm. Unë shpresoj që puna e z. Jupolli do të ndihet në AKR dhe do të t’i japë një mbështetje shumë të madhe AKR’së, jo vetëm në Prishtinë por edhe gjetiu”.

“Ardhja e Jupollit për të qenë krah i AKR’së tregon edhe një herë synimin e AKR’së se nuk e ka synim vetëm forcimin e AKR’së, por ka për synim përgatitjen e kuadrove të reja, të një ere të re, një force të re dinamike për qytetarin e Kosovës”.

“Ne çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për qytetarin e Kosovës dhe për të mirën e qytetarit të Kosovës”.

Por, LDK ka një version tjetër për ish zëdhënësin e saj. Përmes një komunikate për shtyp, ajo pohoi se Fidan Jupolli u shkarkua nga pozita e zëdhënësit dy ditë më herët – për mospunë dhe papërgjegjshmëri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të sqarojë se pretendimet e ish-zëdhënësit, z. Fidan Jupolli, janë në tërësi të pavërteta”.

“Z. Jupolli nuk ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i zëdhënësit të LDK-së, por është shkarkuar të premten për mospunë dhe papërgjegjshmëri”.

“LDK-ja thekson se z. Jupolli në pjesën më të madhe të kohës nuk ka arritur ta përmbushë detyrën e rëndësishme që i është besuar”.

“Po ashtu, dëshirojmë të sqarojmë se z. Jupolli asnjëherë nuk ka pasur pozicion ekzekutiv në radhët e LDK-së dhe se nga ia nuk është kërkuar asnjë kontribut apo angazhim i natyrës së politikëbërjes”.