Ndërron jetë diktatori i Tunizisë

22:11 | 19 Shtator 2019

Ka ndërruar jetë ish-presidenti i Tunizisë, Ben Ali. Diktatori 83-vjeçar jetonte në Arabinë Saudite, ku ishte strehuar pas kryengritjeve të vitit 2011 që çuan në rrëzimin e tij dhe që i dhanë jetë asaj që u njoh si “Pranvera Arabe”.

Ish-presidenti i Tunizisë Ben Ali, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2011 nga protestat që i dhanë jetë të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, ka ndërruar jetë të enjten në Arabinë Saudite, ku jetonte në mërgim.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon avokatin personal të Ali, ish-kreu i shtetit do të varroset ditën e premte. Ben Ali u largua nga Tunizia në Janar të vitit 2011, kur qytetarët u ngritën kundër regjimit të tij shtypës, që frymëzoi kryengritje edhe në shtete të tjera në Lindjen e Mesme dhe që çoi në një tranzicion demokratik në vend.

Dhe në fakt, të dielën e kaluar tunizianët votuan në zgjedhjet e përgjithshme ku morën pjesë kandidatë nga i gjithë spektri politik, dy prej të cilëve kaluan në një raund të dytë balotazhi, gjë që ishte e paimagjinueshme gjatë qeverisjes 20-vjeçare të Ben Ali.

Megjithatë, edhe pse qytetarët tunizianë kaluan një tranzicion demokratik më të lehtë krahasuar me vendet e tjera arabe, shumë prej tyre sot ndodhen në një gjendje ekonomike më të rëndë se gjatë epokës së diktatorit.

Dikur një ish-oficer i lartë sigurie, Ben Ali qeverisi Tunizinë për 23 vjet, duke marrë fillimisht pushtetin si kryeministër në vitin 1987, kur shpalli presidentin e përjetshëm Habib Burguiba të paaftë për të drejtuar vendin.

Në detyrë ai u përpoq të asgjësonte çdo zë politik ndryshe, por hapi ekonominë, një lëvizje që i dha jetë një rritjeje të shpejtë por që dhe ushqeu një pabarazi të thellë dhe një nivel të lartë korrupsioni./ABC News Albania 24/7