Ndërpritet seanca për sulmin në “Ibër-Lepenc”, mbrojtja kërkon përjashtimin e prokurorit
Seanca fillestare për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër-Lepencit” ka dështuar të mbahet për shkak të kërkesës së mbrojtësve të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu. Në seancën e mbajtur të enjten, mbrojtësi i të akuzuarit Viçentijeviq, avokati Nebojsha Vllaiq ka paraqitur kërkesën për përjashtimin e prokurorit Kodraliu. “Kam vërejtje në prokurorin…
Lajme
Seanca fillestare për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër-Lepencit” ka dështuar të mbahet për shkak të kërkesës së mbrojtësve të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu.
Në seancën e mbajtur të enjten, mbrojtësi i të akuzuarit Viçentijeviq, avokati Nebojsha Vllaiq ka paraqitur kërkesën për përjashtimin e prokurorit Kodraliu.
“Kam vërejtje në prokurorin e kësaj çështjeje. Asnjë veprim nga provat që i kam propozuar nuk është ndërmarrë. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive, nuk na është treguar koha, në këtë mënyrë prokurori e ka shkelur dispozitën e nenit 7 te kodit të procedurës që obligohet të vërtetojë faktet që shkojnë në dobi të pandehurit. Disa prova janë humbur përgjithmonë, askush nuk është obliguar të ruaj incizimet për një vit nëse dikush nuk ua urdhëron këtë. Janë shkelur dispozitat tjera të nenit tre dhe te kodit të procedurës penale të cilat flasin për një procedurë të drejtë. Është shkelur edhe shpirti i ligjit qëllimi i së cilës është vërtetimi i të drejtës, për këtë ekzistojnë arsye të rëndësishme që e nxisin dyshimin në paanshmërinë e prokurorit”, ka deklaruar avokati Vllaiq.
Propozimin e avokatit Vllaiq e ka mbështetur edhe mbrojtësja e të akuzuarit tjetër, Dragisha Viçentijeviq.
“Më duhet ti bashkohem kërkesës së kolegut, si ai edhe unë më 11 dhjetor 2024 e kam parashtruar kërkesën prokurorit special që t’i dëgjojë katër dëshmitarë dhe kam kërkuar të mblidhen video incizime të bankës KEP në Zubin Potok dhe stacionit policor në po këtë komunë, një orë para dhe pas shpërthimit. Deri më sot, prokurori nuk ka vepruar sipas kërkesës time. Konsideroj që në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të klientit tim. Duke pasur parasysh që prokurori special i ka shkelur disa nene gjatë hetimeve kundër të pandehurve konsideroj që kjo kërkesë është në tërësi e argumentuar prandaj propozoj që gjykata ta ndërprejë këtë seancë, derisa kryeprokurori të marrë vendim”, tha mbrojtësja e të akuzuarit Dragisha Viçentijeviq.
Gjyqtari Vesel Ismajli mori vendimin që seanca të ndërpritet derisa kryeprokurori të marrë një vendim lidhur me kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve.
Vëllezërit Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq akuzohen për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit” në fshatin Varagë të Zubin Potokut vitin e kaluar.
Jovan Viçentijeviq akuzohet për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve dhe spinazhit.
Dragisha Viçentijeviq akuzohet për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike dhe mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.
Ndërsa, Igor Dimoviq akuzohet vetëm për veprën penale të mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar në infrastrukturën kritike të shtetit është vlerësuar të jetë në vlerë prej 376 mijë eurove.