Ndërpritet seanca fillestare në rastin Banjska, Supremja do të vendosë nëse mund të ketë gjykim në mungesë për 42 serbët

Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kërkoi të ndërprehet seanca fillestare në rastin “Banjska” me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre. Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, avokati Ljubimir Pantoviq kërkoi ndërprerje të seancës me arsyetimin…

Lajme

25/09/2024 10:53

Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kërkoi të ndërprehet seanca fillestare në rastin “Banjska” me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, avokati Ljubimir Pantoviq kërkoi ndërprerje të seancës me arsyetimin se shkresat i ka pranuar në mënyrë elektronike dhe jo fizikisht. Ky deklarim i Pantoviq u përkrah edhe nga mbrojësit e të akuzuarve Maksimoviq dhe Toliq, avokatët Jovana Filipoviq dhe Millosh Deleviq.

Në anën tjetër, avokati Koci tha se kërkesa s’ka mbështetje ligjore sepse kanë mundur që ato shkresa t’i printojnë vetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, prokurori special Naim Abazi tha se ka qenë e pamundur që shkresat e lëndës të dorëzohen fizikisht, andaj i kanë dorëzuar në mënyrë elektronike.

Më pas, gjyqtari Hoti tha se konsiderojnë që Prokuroria e ka përmbushur obligimin ligjor të dorëzimit të shkresave të lëndës, andaj kërkoi që të kalohet me leximin e aktakuzës.

Mirëpo, avokati Pantoviq kërkoi sërish fjalën, duke thënë se shkresat i kanë pranuar në mënyrë elektronike të hënën pasdite dhe se nuk janë pagatitur për seancë pasi që aktakuza është voluminoze dhe se të mbrojturit e tyre nuk e dijnë përmbajtjen e saj.

E prokurori Abazi tha se është e papranueshme kërkesa për shtyrje të shqyrtimit fillestare pasi që aktakuza dhe shkresat e lëndës janë dorëzuar dhe për këtë kanë dëshmi.

Më pas, Gjykata mori aktvendim dhe ndërpreu shqyrtimin fillestar, me qëllim që të akuzuarit të pajisen me akuzën dhe ta dijnë përmbajtjen e saj, e më pas t’iu jepet e drejta për deklarim rreth fajësisë.

Gjykata Themelore do t’i drejtohet Supremes për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë

Gjykata Themelore në Prishtinë do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë.

Kështu bëri të ditur gjyqtari Arben Hoti pas veçimit të procedurës ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Paraprakisht, prokurori special Naim Abazi propozoi që gjykimi të zhvillohet në mungesë, me arsyetimin se në dispozitivat e aktakuzës është përfshirë “Vrasja e rëndë”, e që si vepër penale parashihet për gjykimin në mungesë.

Ndërkaq, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar (familjes Bunjaku), avokati Arianit Koci, propozoi që të shikohet mundësia që Gjykata t’i drejtohet Supremes për opinion për të vazhduar gjykimin në mungesë.

Ndërsa, pasi u veçua lënda për tre të akuzuarit, gjykatësi Hoti tha se kjo po bëhet me qëllim që të mos zvarritet procedura. Tha e pas pranimit të opinionit të Gjykatës Supreme, do të shihet mundësia e bashkimit të procedurës me të akuzuarit tjerë.

Veçohet procedura penale ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq në rastin “Banjska”
(Përditësuar, ora 10:13)- Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë është veçuar procedura penale ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar në rastin “Banjska”, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit.

Kurse, për Milan Radoiçiqin dhe të akuzuarit tjerë, gjykatësi Arben Hoti tha se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për opinion për të parë nëse për veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit mund të aplikohet gjykimi në mungesë.