Ndërprerja e seancës konstituive, Cakolli: Dehari bëri shkelje procedurale
Ka dështuar për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të seancës konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre sërish të enjten. Në një deklaratë për media, Cakolli vlerësoi se ndërprerja e seancës nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari përbën…

Lajme
Ka dështuar për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të seancës konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre sërish të enjten.
Në një deklaratë për media, Cakolli vlerësoi se ndërprerja e seancës nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari përbën një shkelje procedurale, pasi ajo ndodhi pa votim formal dhe pa u trajtuar të gjitha pikat e rendit të ditës.
“Pra, ashtu siç ka qenë deri diku e pritur, në mungesë të numrit të nevojshëm të votave pati sërish ndërprerje të seancës konstituive të Kuvendit. Por që kësaj here, si ndërprerje u karakterizua nga një shkelje tjetër procedurale, ku kryesuesi i seancës, Dehari, e ndërpreu seancën pa pasur votim formal dhe pa i konsumuar pikat e rendit të ditës, gjë që përben shkelje proceduriale. Në anën tjetër, tashmë është e qartë se situata është e bllokuar për shkak të mosofrimit të dorëheqjeve, obligim ligjor ky për kryeministrin dhe 15 ministrat tjerë në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë dhe gjithë ministrave që në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit të dorëzojnë dorëheqjet e tyre formale siç ua kërkon ligji për qeverinë që është miratuar po nga legjislatura e kaluar, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstitutimit të Kuvendit dhe të evitohen bllokada të panevojshme”, tha Cakolli.
Ai po ashtu kritikoi qasjen e kryesuesit të seancës, duke thënë se nuk kishte nevojë për konsultime të reja me subjektet politike, pasi afati prej 48 orësh ekziston pikërisht për këtë qëllim.
“Në radhë të parë kryesuesi i seancës sot nuk ka pasur fare nevojë qe t’i ftoj në konsultim subjektet politike. Afati 48 orësh është pikërisht për çështjen e konsultimeve mes subjekteve politike. Unë vlerësoj se në vend që të shkruheshin letra për presidenten, përgjigjet e se cila veç se diheshin, ndonëse vlerësoj pozitivisht qasjen e presidentes, besoj që është dashur që të mbaheshin konsultimet e nevojshme në mënyrë që të trajtohej dhe të zgjidhej kjo çështje. Zotëri Dehari nuk e administroj seancën siç duhet sepse në radhë të parë i njëjti nuk shkoj sipas rendit të ditës e që në këtë rast do të duhej mblidhej edhe një herë komisionit për verifikimin e mandateve, nxjerrja serish i një raporti”, tha ai.
Edhe sot, njëjtë si më 15 prill është ndërprerë seanca konstituive e cila në rend të parë do të duhej të kalojë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Ajo pritet të thirret brenda 48 orëve të ardhshme, të shtunën në orën 12:00.