​Nderohet jeta dhe vepra e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi

Me mbledhje komemorative është nderuar jeta dhe vepra e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit. Në mesin e familjarëve, miqve dhe figurave institucionale u tha se Bukoshi është një nga emrat kyç të jetës politike. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se ai ishte mbështetës i rezistencës paqësore dhe kryengritjes së armatosur. “Sot janë mbushur 26…

Lajme

12/06/2025 11:21

Me mbledhje komemorative është nderuar jeta dhe vepra e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit. Në mesin e familjarëve, miqve dhe figurave institucionale u tha se Bukoshi është një nga emrat kyç të jetës politike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se ai ishte mbështetës i rezistencës paqësore dhe kryengritjes së armatosur.

“Sot janë mbushur 26 vite nga çlirimi i Kosovës prej Serbisë si shtet pushtues nga 12 qershori i vitit 1999. Megjithëse, tashmë ka kaluar çerek shekull nga koha e luftës, ende edhe sot kushdo që mëton ta njoh Kosovën edhe si shtet edhe si shoqëri edhe si realitet politik duhet ta njoh mirë Kosovën e viteve të 90-ta. Dhe sapo t’i qasemi historisë së Kosovës së dekadës së viteve 90-të, një nga emrat kyç të jetës politike që shfaqet është emri i Bujar Bukoshit, i cili para dy ditësh më 10 qershor 2025 u nda nga kjo jetë në moshën 78-vjeçare. Në kronikat dhe lajmet e përditshme të asaj kohe emri i Bujar Bukoshit është pothuajse i kudo ndodhur që nga viti 1991, Bujar Bukoshi ishte kryeministër i qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës”, deklaron ai.

Emri i ish-kryeministrit në ekzil, siç shtoi Kurti, është përjetësuar me dorën e tij edhe në dokumentin themeltar – deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.“Në një kohë, kur ai u refuzua nga shumë të tjerë, Bujar Bukoshi e mori detyrën e kryeministrit të Kosovës nga presidenti Ibrahim Rugova më 12 tetor 1991. Pra, Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës…Ai ishte i guximshëm në çdo situatë, kurajoz në politikëbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve. Në vjeshtën e vitit 1997, ish-kryeministri Bujar Bukoshi ishte përkrahës i protestave studentore të Universitetit të Prishtinës si institucion republike e vatër rezaistence, e që në atë kohë udhëhiqej një herë nga rektori Ejup Statovci e më pas nga rektori Zenel Kelmendi”, u shpreh ai.

Vajza e Bujar Bukoshit, Shota tha se ai ishte mbështetës, i guximshëm dhe me vizion.

“Një nga shërbimet më të vështira që më është dashur t’i bëjë babit tim është kjo që po e bëjë tani, të flas për të në emër të familjes. Një gjë që ai do të ma lehtësonte me siguri me ndonjë shaka. Në emër të familjes ju falënderojmë përzemërsisht për praninë tuaj e për hapësirën për të kujtuar e nderuar babin. Shumë prej jush e njihni atë çfarë babi ka bërë si mjek, si veprimtar politik për lirinë e Kosovës dhe shërbimin e tij si kryeministër i parë i Kosovës. Ne familja e tij natyrisht e njohim Bujar Bukoshin si person publik, por e njohim atë që shumica nuk e njeh, Bujarin si baba, bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë me skajperin e sallës së operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejt dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë”, u shpreh ajo.

Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja nderoi jetën dhe veprën tha se në bisedat me Bukoshin donin një Kosovë ndryshe.

“Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë, pa asnjë pretendim, as për të ndryshuar botën as për të ndryshuar rregullat e jetës. Thjesht u nisëm nga një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve, më shumë të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme për të përballur së fundmi jo me dimensionin abstrakt të një ideali por me përmasat reale të një bote e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të gjitha ëndrrat”, përfundoi ai.

Ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi u ndaj nga jeta në moshën 78-vjeçare.