Me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, synohet zvogëlimi i importit

Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, kanë përkrahur me grante 36 ndërmarrje, nga 800 sa kishin aplikuar.

Lajme

15/06/2016 13:45

Në hapjen e këtij panairi, u vlerësua se kompanitë përfituese të këtyre granteve kanë arritur dukshëm kapacitetet prodhuese, nivelin e eksportit si dhe duke gjeneruar vende të reja të punës.

Shefi i operacioneve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha në hapje të panairit se janë mjaft të kënaqur me rritjen e produkteve të këtyre ndërmarrjeve. Ai tha se synimi i këtij programi është edhe rritja e konkurrencës së ndërmarrjeve, zëvendësimi i produkteve të importuara, si dhe rigjenerimi i punësimit.

“Është kënaqësi që kam këtu në hapjen e panairit të ndërmarrjeve të vogla, të mesme. Ky program që financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë synon rritjen e konkurrencës së ndërmarrjeve si dhe zëvendësimin e produkte të importuara gjithashtu edhe rigjenerimin e punësimit.

Kam vizituar shumicën e këtyre ndërmarrjeve gjatë vitit të kaluar dhe mund të them që kam qenë i impresionuar me rezultatet që janë arritur dhe me punë që janë bërë tek ato. Ky program është një tregim suksesi dhe ka qenë i zhvilluar mirë dhe jam krenar që jam këtu të jem dëshmitar i përfundimit të këtij projekti”, tha Stock.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Industrisë dhe Tregtisë, Avni Kastrati, tha se e arritura e këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në interes të institucionit që përfaqëson për arsye edhe se ato krijojnë vende të punës të qëndrueshme.

“Kemi kënaqësinë që kompanitë përfituese të këtyre granteve kanë arritur të rrisin dukshëm kapacitetet e tyre prodhuese duke rritur nivelin e eksportit dhe duke gjeneruar vende të reja të punës. Kompanitë përfituese janë pajisur me makineri moderne duke rritur efikasitetin e prodhimit dhe duke plotësuar edhe standardet mjedisore.

Ne si ministri e Tregtisë dhe Industrisë jemi duke punuar në mënyrë konsistente për të rritur mbështetjen rritjen dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme sepse konsiderojmë se këto kanë potencial shuam të madh në gjenerimin e vendeve të punës”, tha Kastrati.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është optimiste se Marrëveshja e Stabilizim Asoccimit e cila ka filluar të implementohet në prill të këtij viti, do të zgjerojë mundësin e bizneseve kosovare për eksport dhe rritje të punësimit.