Nderime në 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

Në 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, Organizata e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, zhvilluan homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kujtoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi rëndësinë e respektimit të përditshëm…

Lajme

22/01/2026 11:12

Në 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, Organizata e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, zhvilluan homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, kujtoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi rëndësinë e respektimit të përditshëm të familjeve të dëshmorëve.

“Familja Jashari dhe të gjitha familjet e dëshmorëve e meritojnë respektin çdo ditë, jo vetëm sot. Ata kanë flijuar gjithçka që nga viti 1991, duke dhënë jo vetëm pasurinë, por edhe jetën e tyre. Me 1998 janë plagosur edhe dy vajza, vajza e bacë Rifat dhe Hamzës; njëra u bë dëshmore, ndërsa Iliriana shpëtoi dhe krijoi familje. Këto familje meritojnë shumë respekt, por më duket se i kemi lënë pak në harresë”, ka theksuar ai.

Ndërsa nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, foli për qëndresën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve.

“Sot nderojmë ata që nuk u thyen kurrë. Jemi këtu në përvjetorin e dytë që i bëhet familjes Jashari, pas atij të parë më 30 dhjetor 1991. Nderojmë ata që mbijetuan sulmet, si atë të parë, të dytin dhe të tretin më 6, 7 dhe 8 mars”, ka thënë ai.

Homazhet e sotme shërbyen si një kujtesë për sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, duke nënvizuar domosdoshmërinë e respektit dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj tyre.

Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë (Skenderaj), rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991.

Sulmi i tretë i Serbisë ndaj familjes Jashari ndodhi vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz.