Ndërhyrjet e huaja dhe inteligjenca artificiale sfidojnë sigurinë zgjedhore
Në kuadër të Forumit 2026 të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, në sesionin e dytë u diskutua për qëndrueshmërinë demokratike dhe sfidat që paraqesin ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore në Kosovë. Arian Starova nga Atlantic Council of Albania tha se lufta hibride është bërë gjithnjë më e vështirë për t’u…
Lajme
Në kuadër të Forumit 2026 të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, në sesionin e dytë u diskutua për qëndrueshmërinë demokratike dhe sfidat që paraqesin ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore në Kosovë.
Arian Starova nga Atlantic Council of Albania tha se lufta hibride është bërë gjithnjë më e vështirë për t’u përballuar për shkak të zhvillimit të teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe konkurrencës globale.
Sipas tij, ndërhyrjet në fushatat zgjedhore ndikojnë drejtpërdrejt në vullnetin e qytetarëve dhe deformojnë votën përmes metodave artificiale.
Starova theksoi se organizatat joqeveritare, partitë politike dhe mediat duhet të jenë më aktive dhe më hulumtuese ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe mënyrave se si ato realizohen.
Ndërkaq, Gani Zogaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) tha se siguria kibernetike në zgjedhje është bërë sfidë kritike, pasi proceset demokratike varen gjithnjë e më shumë nga sistemet digjitale.
Ai paralajmëroi se sulmet kibernetike, dezinformimi dhe qasjet e paautorizuara mund të cenojnë integritetin zgjedhor dhe besimin publik.
Sipas Zogajt, përvojat ndërkombëtare dhe rajonale tregojnë se këto kërcënime ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin institucional, ndërsa zhvillimi i inteligjencës artificiale po i bën ato edhe më komplekse dhe më të vështira për t’u menaxhuar.
Për integritetin zgjedhor në media foli edhe profesori Alban Zeneli nga Instituti i Medias, i cili kërkoi që edukimi medial të bëhet lëndë e detyrueshme në arsimin parauniversitar.
Ai tha se qytetarët duhet të pajisen me aftësi për t’u përballur me dezinformimin dhe çrregullimin informativ, ndërsa mediat kredibile duhet të dallohen qartë nga aktorët që keqpërdorin format e gazetarisë për dezinformim.
Zeneli kritikoi mungesën e reformave në këtë drejtim, duke thënë se përkundër avokimit 17-vjeçar për edukimin medial, ndryshimet kanë ecur shumë ngadalë.
Ndërkohë, profesori Gjon Çulaj tha se proceset zgjedhore janë pjesë e infrastrukturës kritike shtetërore dhe lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
Ai theksoi se Serbia vazhdon të ushtrojë ndikime hibride ndaj Kosovës, duke tentuar të ndikojë perceptimin ndërkombëtar për Kosovën si shtet jofunksional dhe duke penguar proceset integruese.
Sipas tij, përdorimi politik i komunitetit serb përmes aktorëve lokalë mbetet një nga format e ndikimit hibrid.
Megjithatë, Çulaj vlerësoi se institucionet e Kosovës kanë arritur të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, ndonëse polarizimi politik mbetet një sfidë e brendshme për vendin.