Ndërhyrja e ndërkombëtarëve po ndodh

Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shtetet e Evropës Juglindore, Ernst Reichel, në Kosovë, deklaratat e vazhdueshme të Ambasadores Tracey Ann Jacoboson dhe të Ian Cliff, që sa më parë të thirret seanca dhe të tejkalohet kriza politike, janë shenja të ndërhyrjes ndërkombëtare.

Lajme

16/11/2014 08:36

Analisti politik, Artan Muhaxhiri mendon se duhet të ketë ndërhyrje ndërkombëtare, pasi që sipas tij, liderët politikë kosovarë, janë treguar të “paaftë” ta zgjedhin krizën vet.

Ai thotë se ardhja e Reichel në Kosovë, si dhe deklaratat e ambasadorëve Jacobson dhe Cliff janë sinjale të presionit ndërkombëtarë mbi liderët e Kosovës.

“Ndërhyrje ka dhe mendoj që duhet të ketë, pasi që politikanët tanë janë treguar aq të paaftë sa që nuk mund ta zgjidhin këtë bllokadë pa ndërhyrje ndërkomëtare.

Kjo ndërhyrje është e mirëseardhur. Kemi pa deklaratën e ambasadores amerikane Jacobson, dhe atë të ambasadorit Cliff, tashmë kemi edhe vizitën e Reiche. Këto janë sinjale të presionit ndërkombëtarë që po u bëhen te liderët politikë”, ka thënë Muhaxhiri për Tribunën.

Ndërkaq, edhe analisti Nexhmedin Spahiu mendon se ndërhyrja ndërkombëtare është e nevojshme, pasi ai mendon se kriza politike nuk mund të shkojë deri në pafundësi.

“Më e drejtë është të thuhet se ndërhyrja vjen nga vendet e Quint-it, i qeverive aleate të Kosovës. Ato kanë krijuar në një mënyrë edhe bllokun e opozitës. Tash vetëm kemi ndërhyrje direkte”.

“Kjo ndërhyrje po bëhet për të mirën e Kosovës. Nuk ka mundur që të shkojë në pafundësi kjo situatë”, ka thënë Spahiu, shkruan sot Tribuna.