Ndalohet dy infermierë nga QKMF-ja në Prizren, për 4 muaj rresht morën paratë e arkëtuara nga pagesa e pacientëve
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka pranuar informacione operative se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, dy infermierë janë të përfshirë në shpërdorim detyre, duke përvetësuar paratë nga pagesat e pacienteve që kërkojnë shërbime mjekësore. Bazuar në këto informacione dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, që…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka pranuar informacione operative se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, dy infermierë janë të përfshirë në shpërdorim detyre, duke përvetësuar paratë nga pagesat e pacienteve që kërkojnë shërbime mjekësore.
Bazuar në këto informacione dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, që nga muaji qershor 2026 janë ndërmarrë veprime hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që krijojnë dyshimin e bazuar se të dyshuarit Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit dhe B.R., në cilësinë e infermierit në QKMF – Prizren, gjatë periudhës nga muaji gusht deri nëntor të vitit 2024, si dhe nga muaji shkurt deri dhjetor të vitit 2025, gjatë kohës sa ishin në orarin e punës, përkatësisht në ndërrimin e natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar paratë e arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.
“Sipas hetimeve të deritanishme, i dyshuari Xh.B., ka përvetësuar në vlera të vogla monetare shumën prej 1,250 euro, ndërsa i dyshuari B.R., ka përvetësuar në vlera të vogla monetare shumën prej 1,032 euro. Shuma e përgjithshme e mjeteve financiare të dyshuara të përvetësuara, nga hetimet e deritanishme arrin në 2,282 euro.Veprimet e të dyshuarve të lartcekur, mbështesin dyshimin e arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 418 i KPRK-së”,thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.
Pas intevistimit të tyre, në prani të mbrojtësve, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale.
Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë dhe, varësisht nga rezultatet e tyre, ekziston mundësia e zgjerimit të hetimeve edhe për periudha të tjera kohore.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/