Ndahen grante për të vetëpunësuarit

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim do të ndajnë sot grante nga Programi për Vetëpunësim.

Lajme

02/10/2015 08:10

Sipas njoftimit të organizatorëve, me këtë rast, 43 femra dhe meshkuj të papunësuar do fitojnë 3000 deri 6000 euro financim për të themeluar bizneset e tyre të reja.

Programi i vetëpunësimit ka filluar gjatë muajit prill të këtij viti, për të zgjeruar programet aktive të tregut të punës, të implementuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me mbështetjen e UNDP-së. Pas një procesi konkurues, në këtë ceremoni, 43 plane të biznesit të paraqitura do të shpërblehen me asistencë financiare dhe mentorim të vazhdueshëm në mënyrë që të funksionalizohen bizneset e reja.

Projekti financohet dhe implementohet bashkarisht nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës.

Ceremonia e ndarjes se granteve do të bëhet në hotel “Sirius”, me fillim në orën 10:00.