​Ndahen 6.5 milionë euro për sportin

Gjashtë milionë e gjysmë euro është mbështetja financiare që Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar sot në formë memorandumi me 39 federata sportive. Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka theksuar se federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe mbartin rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin…

Lajme

08/04/2026 11:21

Gjashtë milionë e gjysmë euro është mbështetja financiare që Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar sot në formë memorandumi me 39 federata sportive.

Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka theksuar se federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe mbartin rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit.

Ai ka nënvizuar se Ministria do të vazhdojë të jetë në përkrahje të tyre, duke kërkuar standarde të larta profesionalizmi, përkushtimi dhe arritje konkrete në secilin sport.

“Ky bashkëpunim që po formalizojmë sot mbështetet mbi parimet e qarta të përgjegjësisë, transparencës dhe menaxhimit të mirë të resurseve publike. Këto janë vlerat që duhet të na udhëheqin të gjithëve në punën tonë të përditshme dhe do të na përcjellin gjatë gjithë kohës së implementimit të këtyre ëh, memorandumeve. Federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe bartin një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit në vend. Ndërkaq ministria është këtu për të qenë përherë në përkrahjen tuaj. Prandaj, presim që përmes këtij bashkëpunimi të dëshmoni standarde të larta profesionalizmi, përkushtimi, por edhe arritje konkrete në punën tuaj, në sportet tuaja”, theksoi Gashani.

Ky memorandum bashkëpunimi ka një vlerë totale prej mbi 6.5 milionë eurosh, përmes të cilave Gashani tha se synohet të forcohet mbështetja dhe qeverisja e mirë në sport.
“Përmes këtyre memorandumeve, ne po konkretizojmë mbështetjen institucionale në vlerë prej mbi 6 milion e gjysmë, 6.5 milion euro sipas kategorizimeve të sporteve. Mbështetja jonë synon të forcojë qeverisjen në sport, të rrisë performancën e sportistëve tanë, të promovojë një shoqëri më aktive dhe të shëndetshme dhe mbi të gjitha të avancojë rezultatet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare përmes sportit. Në të njëjtën kohë, ritheksoj se transparenca dhe llogaridhënia mbeten thelbësore. Besimi i qytetarëve ndërtohet përmes punës së ndershme dhe raportimit të hapur dhe ky duhet të jetë standardi ynë i përbashkët”, shtoi Gashani.

Përmes këtij angazhimi të përbashkët, shpresohet që sporti në vend jo vetëm të zhvillohet, por edhe të arrijë nivelin që meriton, duke shfrytëzuar plotësisht potencialin ekzistues.