NATO unike kur nevojitet, flet me një zë të vetëm
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se sanksionet e vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë, për rolin e saj në krizën ukrainase, ishin të nevojshme për të treguar seriozitetin e vendeve të BE-së.

Bota
Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje politike. Por, mendoj se ka qenë gjithashtu e nevojshme për ne miratimi i sanksioneve kundër Rusisë, për të treguar seriozitet në bindjet tona, theksoi Merkel në një konferencë shtypi me kryeministren letoneze, Laimdota Straujuma, gjatë një vizite në Rigë, transmeton Shekulli online.
“Është për të ardhur keq që sistemi i sigurisë është përkeqësuar për shkak të krizës ukrainase. I kuptoj shumë mirë shqetësimet e qytetarëve të Letonisë, vendeve të tjera baltike dhe të Polonisë”, deklaroi Merkel.
Kancelarja siguroi se NATO do të vendosë gjatë samitit të ardhshëm, në fillim të muajit shtator, për praninë e trupave të NATO-s, veçanërisht në Letoni.
“Ne duhet të sigurojmë të gjithë partnerët e NATO-s, që ndihen të kërcënuar apo në rrezik. Ne duhet të tregojmë se kur ky kërcënim rritet, ne flasim me një zë të vetëm”, nënvizoi ajo. (Shekulli)