Të Infektuar: 18.345

Të Shëruar: 15.198

Të Vdekur: 669

NATO: Turqia të mos përdorë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore

21:06 | 17 Tetor 2020

NATO ka shprehur shqetësimin lidhur me raportet se Turqia, anëtare e saj, ka përdorur sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400 për herë të parë gjatë një manovre ushtarake.

“Sistemi mund të paraqesë një rrezik për avionët aleatë dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet midis aleatëve të NATO-s”, tha një zëdhënëse e saj, raporton ATSh.

“Ky është një vendim i ndërmarrë nga vetë Turqia, por S-400 nuk mund të integrohet në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s. Është e rëndësishme që Turqia të vazhdojë të punojë me aleatët për të gjetur zgjidhje alternative”, theksoi ajo.

Media turke kishte raportuar më parë se qeveria në Ankara testoi raketat tokë-ajër për herë të parë në kushte operacionale pranë qytetit Sinop të Detit të Zi, të premten.

“Çdo provë e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Turqia, nëse konfirmohet, do të ishte për të ardhur keq”, tha zëdhënësja e NATO-s.

Komente të ngjashme mbi këtë temë ishin bërë më parë edhe në Uashington.

SHBA tashmë kanë përjashtuar partnerin e tyre të NATO-s, Turqinë, nga programi i avionëve luftarakë F-35 për shkak të blerjes së sistemit raketor rus.

Turqia, nga ana tjetër, argumenton se i duhet sistemi i saj i mbrojtjes raketore kundër kërcënimeve nga Siria fqinje, një vend i prekur nga lufta civile.