NATO konfirmon me satelit: Tanket në Ukrainë i dërgoi Rusia

NATO-ja i ka publikuar pamjet satelitore, të cilat janë të ndërlidhura me video materialet që tashmë janë bërë publike, me të cilat mbështeten pretendimet e autoriteteve të Ukrainës, se separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, po i përdorin tanket, me të cilët i ka furnizuar Rusia, gjatë ditëve të fundit.

Bota

15/06/2014 12:48

Në këto pamje shihen tri tanke ruse të tipit T-64, të ngarkuara në transportues në konvojin ushtarak, më 11 qershor, në rajonin rus Rostov.

Zyrtarët e NATO-s thonë se nuk kanë dyshime se ky është konvoji ushtarak i njëjtë që e kaloi kufirin me Ukrainën, më 11 qershor.

Një zyrtar i lartë i NATO-s i ka thënë BBC-së se pamjet satelitore i “shtrojnë pyetjet e rëndësishme lidhur me rolin e Rusisë në nxitjen e jostabilitetit në pjesën lindore të Ukrainës”, transmeton REL.

Rusia i ka hedhur poshtë pohimet se separatistët në Ukrainë po i furnizon me tanke dhe armatim.

Por, Shtetet e Bashkuara, të premten thanë se kanë dëshmi që sugjerojnë se tre tanke T-64, që janë përdorë nga separatistët prorusë afër Donetskut, ishin furnizime nga Rusia.