NATO flet për progresin në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka publikuar raportin vjetor të forcës që ai drejton, raport në të cilin i ka kushtuar një pjesë edhe gjendjes së sigurisë në Kosovë.

Lajme

30/01/2015 16:56

Në raport theksohet se viti 2014 ka shënuar 15 vjetorin e zbarkimit të forcave të NATO-s (KFOR) në Kosovë për të kontribuuar për një ambient të sigurt dhe të garantuar si dhe në lirinë e lëvizjes në Kosovë, në pajtim me Rezolutën 1244 të OKB-së.

“Roli i NATO-s në Kosovë ka evoluuar gjatë kësaj periudhe dhe ka përfshirë edhe asistencën në kthim dhe vendosje të personave të zhvendosur dhe refugjatëve, duke ofruar ndihmë mjekësore, ka mbrojtur vendet e trashëgimisë kulturore e fetare, ka penguar kontrabandën ndërkufitare me armë dhe ka ndihmuar në transferimin e trupës së sigurisë së kohës së luftës në Forcë të Sigurisë së Kosovës, si dhe ka ofruar struktura për të ndihmuar mbikëqyrjen civile”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Ky progres, sipas raportit, është në rrugë të mirë për të vazhduar më tutje, dhe NATO  mbetet e përkushtuar që të forcojë paqen dhe stabilitetin në Kosovë.(Koha.net)