NATO e shqetësuar me aferën qeveritare në Maqedoni
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur sot shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Lajme
Ai këtë e ka nënvizuar pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Nikolla Gruevski, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend.
Ina raporton që njeriu i parë i Aleancës veri-atlantike i ka tërhequr veshin kryeministrit maqedonas, i cili nuk ka qëndruar rehat gjatë konferencës në Bruksel dhe qëndrimit të tij me pak bujë në selinë e Aleancës.
Por, Stoltenberg i është shmangur komenteve lidhur me aferën e përgjimeve dhe aferën e ashtuquajtur “Puç”.
“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të angazhohen për reforma politike dhe ekonomike në vendin tuaj. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve”, tha Stoltenberg.
Ai refuzoi t’i komentojë informatat se pas skandalit të përgjimeve në Maqedoni qëndrojnë shërbime të huaja sekrete, si thotë Qeveria e Gruevskit. Duke u përgjigjur në pyetjen: A do t’i ndihmojnë NATO Maqedonisë që të zbulojë këto shërbime sekrete të cilat, sipas Gruevskit, qëndrojnë pas tentimit për destabilizim të Maqedonisë, Jens Stoltenberg tha se nuk dëshiron të komentojë aktivitetet e tilla.
“E nënvizoj vlerën e lirisë së mediave, kërkojmë t’i lejohet opozitës të funksionojë në mënyrë normale, këto janë vlera demokratike që duhet të respektohen”, tha ai.
“Kërkojmë hetim të pavarur dhe të thuktë për këto akuza shumë serioze. Ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi për atë që ka ndodhur”.
Gruevski, ndërkaq, tha se ia ka përshkruar Stoltenbergut situatën në vend, duke refuzuar të komentojë mundësinë e përzierjes së shërbimeve sekrete në Maqedoni dhe duke theksuar se “kjo do të jetë pjesë e procesit gjyqësor, i cili do të jetë transparent. Jemi të hapur për çfarëdo qoftë monitorimi”, tha ai. (INA)