Naser Hafizi del sot para gjykatës, dyshohet për “dallaveret” në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

Naser Hafizi ishte kërkuar ditë më parë në shtëpinë e tij, por nuk ishte gjetur. Por i njëjti u arrestua dje që në momentin kur zbriti në Aeroportin e Prishtinës, nga udhëtimi në Francë ku tha se ishte gjatë ditëve të kaluara. Ushtruesi i Detyrës së  Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në…

Lajme

11/10/2024 13:52

Naser Hafizi ishte kërkuar ditë më parë në shtëpinë e tij, por nuk ishte gjetur.

Por i njëjti u arrestua dje që në momentin kur zbriti në Aeroportin e Prishtinës, nga udhëtimi në Francë ku tha se ishte gjatë ditëve të kaluara.

Ushtruesi i Detyrës së  Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hafizi ndryshe sot paraqitet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është konfirmuar për media nga zëdhënësja e gjykatës, Mirrlinda Gashi.

Gashi njoftoi se në ora 13:00, është caktuar të zhvillohet seanca gjyqësore.

Gjyqtari i procedurës paraprake pritet që të vendos më pas për masën e sigurisë ndaj Hafizit.

Naser Hafizi po ashtu dyshohet edhe për shpërlarjes së parave dhe mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë dhe të ardhurave.

Për disa orë radhazi të martën Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë kanë kryer një aksion tek Ministria e Mjedisit në lidhje me hetimet e rastit që dyshohet se lidhet me ambalazhimet e ujit.

Ky aksion zgjati disa orë radhazi ndërsa u konfiskuan edhe kompjuterë e dokumente të shumta.

Po ashtu i arrestuar nga ky rast mbeti edhe Izedin Bytyqi, ish-sekretar në këtë ministri.

Atij madje iu gjetën edhe armë zjarri.

“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.”, thuhej në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë./Lajmi.net/