Nagip Krasniqi sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po vazhdon gjykimi në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi edhe në këtë seancë u deklarua i pafajshëm. Trupi i ri gjykues në këtë rast ka këtë përbërje: Violeta Namani- Hajra, kryetare e trupit gjykues,…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po vazhdon gjykimi në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi edhe në këtë seancë u deklarua i pafajshëm.
Trupi i ri gjykues në këtë rast ka këtë përbërje: Violeta Namani- Hajra, kryetare e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili- anëtarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, u konstatuan të lexuara fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët në këtë proces gjyqësor kur trupi gjykues kryesohej nga gjykatësi Arben Hoti, i cili tashmë është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Paraprakisht, me kërkesë të avokatit Virtyt Ibrahimaga, trupi gjykues deklaroi se nuk kanë pasur komunikim me prokurorin Dren Paca, i cili kishte dalë në kohë të pauzës nga pjesa e zyrave të gjyqtarëve. Edhe prokurori Paca mohoi të ketë pasur komunikim me trupin gjykues, përveçse me stafin e vet.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.