Nagavci: Po vazhdojmë përpjekjet tona për t’i siguruar 80 votat për zgjedhjen e presidentit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se situata aktuale në Kuvend, për shkak të qëndrimit të deputetëve të opozitës, po e çon vendin drejt shpalljes së zgjedhjeve të reja. Nagavci, në emisionin FIVE, tha se pasi të konstituohet Kuvendi, brenda 15 ditësh duhet të votohet Qeveria, ndërsa sipas saj, LVV-ja i ka numrat…

Lajme

12/08/2026 18:24

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se situata aktuale në Kuvend, për shkak të qëndrimit të deputetëve të opozitës, po e çon vendin drejt shpalljes së zgjedhjeve të reja.

Nagavci, në emisionin FIVE, tha se pasi të konstituohet Kuvendi, brenda 15 ditësh duhet të votohet Qeveria, ndërsa sipas saj, LVV-ja i ka numrat e nevojshëm për ta bërë këtë.

“Konstituimi i Kuvendit, në situatën në të cilën jemi me këta deputetë të opozitës, po na dërgon drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja”, deklaroi Nagavci.

Ajo tha se, nëse Kuvendi do të konstituohej, do të mund të votohej edhe Qeveria, ndërsa paralelisht do të vazhdonin afatet për zgjedhjen e presidentit.

“Prej momentit kur konstituohet Kuvendi janë 15 ditë kohë për të votuar Qeverinë, për çfarë ne i kemi numrat dhe pa problem do ta bënim konstituimin e këtyre dy institucioneve. Ndërkohë rrjedhin afatet për zgjedhjen e presidentit dhe pikërisht për këtë arsye po vazhdojmë përpjekjet tona për të arritur numrin e nevojshëm prej 80 deputetësh për të zgjedhur presidentin”, tha ajo.

Nagavci u bëri thirrje të gjitha palëve që kanë dyshime për procedurat institucionale që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka dyshime, le t’i drejtohet Kushtetueses”, u shpreh deputetja e LVV-së.

Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike, Nagavci tha se nuk mund të ketë pajtueshmëri automatike për një çështje pa u bërë të qarta paraprakisht kërkesat dhe qëndrimet e subjekteve politike.

“Nuk mund të arrihet automatikisht një pajtueshmëri për diçka që nuk e dimë as vetë çfarë përfaqëson. Më e pakta që do të mund të bënin është që të dinim cilat janë kërkesat, çfarë dëshirojmë ne, ose çfarë presidenti e dëshirojnë të gjithë”, deklaroi Nagavci.