Nafta po përzihet e hollohet, Qeveria s’po bën asgjë për kontrollin e cilësisë dhe luftimin e informalitetit

Rrjeti i Organizatave Jo-qeveritare (AVONET) ka mbajtur sot një performancë kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit në tregun e brendshëm të Kosovës. Me theks të veçantë, AVONET thotë se mungesa e kontrollit të cilësisë dhe informaliteti është i shfaqur në industrinë e naftës, e sipas tyre, qeveria s'po ndërmerr asgjë lidhur me këtë çështje.

Lajme

23/02/2022 22:28

Në aktivitetin e mbajtur pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u tha se sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, informaliteti konsiderohet si problem serioz dhe se qeveria duhet të bëjë më shumë për të kontrolluar tregun e brendshëm në mbrojtje të konsumatorit dhe të kompanive formale që paguajnë taksa, shkruan lajmi.net.

“Sipas raportit për Kosovën të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) informaliteti konsiderohet si një problem serioz dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të kontrolluar tregun e brendshëm dhe për të siguruar cilësi, për të mbrojtur konsumatorin, si dhe kompanitë formale, të cilat edhe paguajnë taksa. Raporti i FMN-së tregon se në Kosovë kemi një problem të veçantë me evazionin fiskal si rezultat i ekonomisë joformale dhe përmend mungesën e një Bordi funksional në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që nga marsi i vitit 2021.”, thuhet në komunikatën e AVONET-it.

Gjithashtu, referuar raportit të FMN-së, thuhet se informaliteti në Kosovë po ndikon negativisht në konkurrencën e ndershme në treg, në kushtet e punës dhe zhvillimin e kompanive.

“Raporti i FMN-së tregon se qeveria duhet të zgjerojë bazën tatimore dhe të luftojë informalitetin. Nivelet e larta të informalitetit në Kosovë ndikojnë negativisht në konkurrencën e ndershme në treg, kushtet e punës dhe zhvillimin e kompanive, dhe kështu kufizohet rritja ekonomike. Sipas Bankës Botërore dhe BE-së, sektori joformal i Kosovës përfaqëson një të tretën e punësimit total në vend.”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, potencohet fakti se në Kosovë hollohet dhe përzihet nafta dhe se qeveria s’ka marrë ndonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor. Po ashtu thuhet se gazetaria dhe raportet ndërkombëtare kanë vënë në pah mirë faktin e problemeve që Kosova ka me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës.

Kompanitë po i rrisin fitimet e tyre duke përzier dhe holluar naftën dhe mungesa e cilësisë po e dëmton shëndetin publik dhe veturat e secilit qytetar. Andaj, kështu po dëmtohet edhe buxheti publik duke shmangur pagesën e taksave nga funksionimi i informalitetit.

AVONET ka theksuar gjithashtu faktin se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka mbështetur ligjet e nisura nga qeveria e Kosovës lidhur me naftën dhe sipas AVONET kjo është indikator i fuqishëm se kjo qeveri po i mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve.

“Informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur është industria e naftës dhe qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare. Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre. Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave. AVONET sot ka performuar kundër mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë dhe kundër mosveprimit të qeverisë. Kjo qeveri po sillet si një aleate e industrisë së naftës kundër interesit publik. Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve.”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/