“Nafta në Kosovë po përzihet e hollohet”, kështu ankoheshin qytetarët vitin e kaluar

Sot, rrjeti i Organizatave jo-Qeveritare (AVONET) ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ku kanë protestuar kundër informalitetit dhe mungesës së kontrollit të cilësisë në tregune brendshëm, veçanërisht në industrinë e naftës.

Lajme

23/02/2022 19:36

Ata kanë thënë se ka mungesë të madhe të kontrollit të cilësisë së naftës dhe se po ka hollime dhe përzierje të naftës, shkruan lajmi.net.

“Informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur është industria e naftës dhe qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare.”, thuhet në komunikatën e AVONET-it.

Lajmi.net kishte raportuar edhe vitin e kaluar se qytetarët po ankohen në cilësinë e naftës në Kosovë duke thënë se kjo po iu shkakton edhe probleme në servisimin e veturave.

YouTube player

Gjithashtu, AVONET thotë se ka mungesë të madhe të veprimit të qeverisë, e madje e konsiderojnë qeverinë e Kosovës si aleate të industrisë së naftës kundër interesit publik.

“Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve.”, thuhet në komunikatën e AVONET.


Kjo është komunikata e plotë:

Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës.

Informaliteti në industrinë e naftës në Kosovë është i përhapur, dhe qeveria duhet të ndërmarrë veprime për ta ndalur këtë fenomen.

Sipas raportit për Kosovën të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) informaliteti konsiderohet si një problem serioz dhe qeveria duhet të bëjë më shumë për të kontrolluar tregun e brendshëm dhe për të siguruar cilësi, për të mbrojtur konsumatorin, si dhe kompanitë formale, të cilat edhe paguajnë taksa.

Raporti i FMN-së tregon se në Kosovë kemi një problem të veçantë me evazionin fiskal si rezultat i ekonomisë joformale dhe përmend mungesën e një Bordi funksional në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që nga marsi i vitit 2021.

Raporti i FMN-së tregon se qeveria duhet të zgjerojë bazën tatimore dhe të luftojë informalitetin. Nivelet e larta të informalitetit në Kosovë ndikojnë negativisht në konkurrencën e ndershme në treg, kushtet e punës dhe zhvillimin e kompanive, dhe kështu kufizohet rritja ekonomike. Sipas Bankës Botërore dhe BE-së, sektori joformal i Kosovës përfaqëson një të tretën e punësimit total në vend.

Informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur është industria e naftës dhe qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare.

Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre. Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave.

AVONET sot ka performuar kundër mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë dhe kundër mosveprimit të qeverisë. Kjo qeveri po sillet si një aleate e industrisë së naftës kundër interesit publik. Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve. /Lajmi.net/