Nafta jocilësore sjell kancerin te popullata

Pulmologu Skender Baca thekson se është vërtetuar se, nafta dhe produktet e saj shkaktojnë një përqindje të madhe të kancerit të mushkërive te kosovarët.

Lajme

22/12/2014 08:30

Ai shton se pavarësisht se thuhet që nuk ka plumb, ka helmime kronike me plumb të kosovarëve.

Ministrja e re e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë se Ministria, të cilën ajo e drejton, do të punojë seriozisht për kontroll të rreptë të cilësisë së naftës.

“Pse s’ka trupa inspektuese në veri është problem i Doganave dhe problem qeveritar dhe jo problem, që mund ta zgjidhë ministria. Normalisht se ne do të insistojmë që prej asaj pjese mos të hyjë naftë”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, një burim i gazetës Kosova Sot ka thënë se që nga koha kur ka udhëhequr ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila, e deri tani cilësia e naftës nuk është kontrolluar fare.

“Krejt ky sistem i moskontrollit të cilësisë së naftës është instaluar nga ish-ministrja Kusari-Lila. Nafta nuk kontrollohet për nga cilësia. Me përshkrim të analizave nuk mund të thuhet se është bërë kontroll i cilësisë. Nafta hyn e pakontrolluar si nga pikat kufitare të veriut, ashtu edhe në pikat e tjera kufitare”, ka thënë ky burim.