Nacionalizmi i vitit 2014

Në atë ditën e madhe, të 17 shkurtit të vitit 2008, respekti për Adem Jasharin u shpreh edhe me atë porosinë mbresëlënëse: Bac, u kry! Fatkeqësisht, tash del që ka edhe shumë punë për t’u bërë.

Opinion

05/03/2014 10:32

Në një shoqëri, në një politikë çfarë është kjo e jona, ku të thuash nuk i bëjmë as dy hapa të vetëm pa i cilësuar ata si historikë, është sprovë e llojit të vet që të vlerësohen dhe të respektohen sa dhe si duhet ngjarjet të cilat njëmend bënë historinë tonë, duke e ndryshuar atë në mënyrë rrënjësore.

Nuk kemi zatën, këndejpari, hierarki të mirëfilltë vlerash gati në asnjë fushë, prandaj, do të ishte befasi të kemi një shqyrtim të qëndrueshëm edhe të momenteve kyçe kur ndërroi, thelbësisht, kahja jonë historike dhe politike.

Në 5 marsin e këtij viti, koincidoi që të shënojmë një ngjarje të tillë epokale, për të 16-tën herë me radhë, dhe të presim një tjetër, e cila edhe pse, objektivisht, e pakrahasueshme me atë të parën, meriton plotësisht kualifikimin si një zhvillim historik për Kosovën.

Me 5 mars të vitit 1998, në Lagjen e Jasharëve në Prekaz, me aktin madhor të Familjes Jashari, shqiptarët e Kosovës hynë në kaptinën e historisë së re të tyre, kur çlirimi ishte i barasvlershëm me mbijetesën, dhe anasjelltas. Zgjedhja ishte njëmend identike me një parullë të kahmotshme: Liri a vdekje. Nuk kishte më mes. Nuk kishte më tjetër zgjedhje. Mbase, Serbia me politikën e saj, gjithnjë i ka lënë shqiptarët pa solucion. Pos atij që është më i rëndi.

Jeta ngadhënjeu, si në rrëfimet e moçme shqiptare, falë sakrificës së madhe të viteve 1998, 1999.

Jeta u bë një herë çlirim, për të gjithë ne, pastaj shtet, sërish, për ne të gjithë.

Me 5 mars të vitit 2014, në Mitrovicë do të luhet një ndeshje futbolli. Për të parën herë, Kosova, si shtet, do të luajë me një shtet tjetër, me Haitin, në një ndeshje miqësore, por, e cila për të gjithë ne, flet në mënyrë historike.

Mund ta mëdyshim sa të duam krahasimin midis dy pesë marseve, por askush nuk mund dot ta zhvlerësojë një fakt absolutisht të qëndrueshëm: Nuk do të luhej këndejpari futboll, dhe atë, midis Kosovës dhe Haitit (si dy shtete), me 5 mars të vitit 2014, nuk do të kishte zgjedhje, institucione, Kuvend e Qeveri, politikë, kulturë, art dhe spektakle, nuk do të kishte fare shqiptarë këndejpari, po të mos ndodhte 5 marsi i vitit 1998, po të mos kishte Lëvizje politike për pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Presidenti Rugova, dhe po mos ta bindnim Perëndimin që liria dhe pavarësia e Kosovës janë vlera thellësisht perëndimore.

Kaq e thjeshtë është puna.

E në këtë 5 mars, si edhe në shumë të tjerë më parë, nuk do të përpiqemi fare që ta kontekstualizojmë, në rrethanat e tanishme, atë flijimin e jashtëzakonshëm të një familje për një popull.

Jo. Ne e kemi kthyer përkujtimin dhe respektin për këtë ngjarje të madhe, realisht, si edhe për të gjitha të tjerat, në një ritual të rëndomtë, që njeh shkuarjen tek varrezat në Prekaz, përuljen dhe kurorat tek to, ndonjë deklaratë për media plotë patetikë të zakonshme, dhe kështu me radhë.

Në fakt, i gjithë ky ritual më shumë bëhet për ne që jemi gjallë, sesa për ata që ranë për atdhe. Më shumë ka të bëjë me synimin që Prekazi të jetë një Purgator politik i ditëve tona, sesa një vend ku pos që kthehemi, për pak çaste, në ngjarjen kthesë të historisë sonë të re, do të shërbejë si një pikë ku duhet thënë të vërtetën se ku jemi sot si shtet dhe çka do të duhej të bëjmë tash e tutje që të jemi të denjë për t’ua bërë respektin heronjve dhe martirëve të kombit.

Kaq e thjeshtë është puna. Sërish.

Nacionalizmi i vitit 1998 ishte kod i botëkuptimit për shqiptarët e Kosovës, ishte emër i jetës. Okupimi ishte emër i vdekjes.

Nacionalizmi i vitit 2014, para dhe mbi të gjitha, duhet të jetë kod i kuptimit të shtetit të Kosovës, i mendimit dhe i veprimit që e forcon shtetin e Kosovës.

Në atë ditën e madhe, të 17 shkurtit të vitit 2008, na kujtohet të gjithëve, respekti për Adem Jasharin u shpreh edhe me atë fjalinë e shkurtër dhe aq mbresëlënëse: Bac, u kry!

Fatkeqësisht, tash del që ka edhe shumë punë për t’u bërë. Apo jo.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)