Myslimanët e Norvegjisë formojnë mburojë njerëzore për hebrenjtë

Më shumë se 1000 myslimanë kanë krijuar një mburojë njerëzore përreth sinagogës së Oslos të shtunën, duke ofruar në këtë mënyrë një mbrojtje simbolike për komunitetin hebre dhe kanë dënuar sulmin në një sinagogë në Danimarkën fqinje fundjavën e kaluar.

Bota

21/02/2015 21:49

Me thirrjet “Jo anti-semitizmit, jo islamo-fobisë”, myslimanët e Norvegjisë kanë formuar atë që ata e quajtën unazën e paqes një javë pasi Omar Abdel Hamid El-Hussein, djali i imigrantëve palestinezë i lindur në Danimarkë, vrau dy persona në një sinagogë dhe në një ngjarje ku promovohej liria e shprehjes në Kopenhagë fundjavën e kaluar.

“Humanizmi është një dhe ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë”, ka thënë Zeeshan Abdullah, një prej organizatorëve të protestës, para turmës së imigrantëve myslimanë dhe norvegjezëve etnikë të cilët mbushën rrugën e vogël përreth sinagogës së vetme funksionale të Oslos, transmeton Koha.net.

“Ka më shumë nxitës të paqes sesa nxitës të luftës”, ka thënë Abdullah derisa organizatorët dhe liderët e komunitetit hebre qëndronin krahë-për-krahë. “Ende ka shpresë për njerëzimin, për paqen dhe dashurinë, përgjatë dallimeve fetare e prejardhjeve”.

Komuniteti hebre i Norvegjisë është një prej më të vegjëlve në Evropë, me rreth 1000 sosh, ndërsa popullata myslimane, e cila është rritur vazhdimisht përmes imigrimit, është 150,000 deri në 200,000. Norvegjia ka një popullatë prej rreth 5.2 milionë.