Mysafirë në Kosovë
Kryeministrat Recep Tayyip Erdogan dhe Edi Rama nesër do ta vizitojnë Kosovën. Do të marrin pjesë në inaugurimin e terminalit të ri në Aeroportin 'Adem Jashari', në drekë do të qëndrojnë në Prizren, e darkën do ta kenë në Prishtinë.
Lajme
Kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Turqisë Recep Tayyip Erdogan pritet që nesër ta vizitojnë Kosovën.
Qëllimi i kësaj vizite është pjesëmarrja në inaugurimin e terminalit të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndërkohë që është njoftuar edhe për një vizitë gjatë drekës në Prizren.
Kryeministri i Shqipërisë, siç bëhet e ditur, do të arrijë në Aeroport në orën 10:20, ndërsa Kryeministri i Turqisë në orën 10:40.
Ata do të priten nga Kryeministri Hashim Thaçi, me ceremoni shtetërore, me parakalimin e Gardës së FSK’së.
Të tre Kryeministrat do të zhvillojnë një takim të përbashkët.
Nga ora 11:00, me rastin e përurimit të terminali të ri të Aeroportit, do të paraqiten me fjalët e tyre Përfaqësuesi i Limak Nihat Ozdemir, Ambasadorja Franceze në Prishtinë, Përfaqësuesi i Familjes Jashari, Kryeministri Thaçi, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Erdogan.
Në orën 12:30, ata do të nisen për në Prizren. Atje, së pari do të ketë një drekë, në të cilën do të marrë pjesë edhe Ali Ahmeti nga Maqedonia dhe mysafirë të tjerë, ndërsa në një tubim në Shatërvan, nga ora 15:00 Kryeministrat Thaçi, Rama dhe Erdogan do t’u drejtohen qytetarëve të Prizrenit.
Takime të tjera në Prishtinë, pas orës 18:00, do të zhvillohen me Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si dhe me krerët e partive politike kosovare.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund, do ta shtrojë një darkë për mysafirët.