Myftiu Tërnava uron Ipeshkvin Dodë Gjergji për Kërshëndellat

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava me rastin e festës së Krishtlindjeve, ka uruar Ipeshkvin Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë. Ai ka bërë thirrje për dashuri e tolerancë ndaj njërit tjetrit.

Lajme

23/12/2014 15:38

Me rastin e festës së Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar e përgëzuar Ipeshkvin Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë.

Në urimin e tij, Tërnava ka shprehur dëshirën për vazhdimin e solidariteti, tolerancës e dashurisë ndaj njëri tjetrit.

“Në vigjilje të kësaj feste dëshiroj që të shpreh edhe njëherë aspiratën tonë të përbashkët për më shumë mirëkuptim, solidaritet, mirëqenie, përparim e zhvillim për popullin dhe vendin tonë”

“Zotni Ipeshkëv! Të nderuar vëllezër! Festat fetare në këtë nënqiell gjithherë kanë qenë vlerë e shtuar e virtyt i çmuar që kanë kultivuar njohjen, afrimin, respektin, dashurinë, mirëkuptimin, ndërgjegjësimin e fisnikërimin e popullatës sipas mësimeve hyjnore e traditës sonë të ndritshme. Duke ju përshëndetur dhe uruar edhe një herë ju dëshiroj, shëndet, mbarësi e lumturi”, ka përfunduar urimi i Myftiut Tërnava drejtuar Ipeshkvit Dodë Gjergji.