Myftiu Tërnava: Kurban Bajrami na mëson që kërkohet sakrificë për ta ruajtur atdheun, familjen e shoqërinë

Në xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë, u mbajt manifestimi qendror i Kurban Bajramit. Myftiu Naim Tërnava me këtë rast mbajti ligjëratë festive para mijëra besimtarëve. “Jemi mbledhur sot për të falur Kurban Bajramin, ditë kur sakrifica merr kuptim të thellë për familjen, shoqërinë dhe atdheun”, tha myftiu Tërvanva. “Sot jemi mbledhur për të falur Kurban…

Lajme

06/06/2025 08:14

Në xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë, u mbajt manifestimi qendror i Kurban Bajramit.

Myftiu Naim Tërnava me këtë rast mbajti ligjëratë festive para mijëra besimtarëve.

“Jemi mbledhur sot për të falur Kurban Bajramin, ditë kur sakrifica merr kuptim të thellë për familjen, shoqërinë dhe atdheun”, tha myftiu Tërvanva.

“Sot jemi mbledhur për të falur Kurban Bajramin, jo vetëm për t’u mbledhur në këtë ditë, aty ku sakrifica bashkohet dhe jetohet. Nuk ka gjë më të bukur kur shpirti gjen qetësinë. Kurban Bajrami na mëson që kërkon sakrificë për ta ruajtur atdheun, për ta ruajtur familjen dhe shoqërinë. Ta mbajmë sakrificën dhe dashurinë për njëri-tjetrin, bëjmë drejtësi për bashkëpunim dhe ndërgjegje,” shtoi ai.

“Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi. Është ditë kur rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi. Kurban Bajrami është ditë e madhe, ditë adhurimi, sakrifice dhe solidariteti. Është kujtim i gjallë i sakrificës së madhe të pejgamberit Ibrahim a.s., i cili, me bindje të plotë ndaj urdhrit të Zotit, ishte i gatshëm që ta flijonte djalin e tij Ismailin a.s..”

Në mesazhin e hytbes së Kurban Bajramit nga myftiu Tërnava, ai foli edhe për rënien e natalitetit të Kosovës për siç tha ai për shkaqet të pasigurisë financiare.

“Në këto kohë, Kosova po përballet me një rënie serioze të natalitetit. Familjet e reja ngurrojnë të lindin më shumë se një apo dy fëmijë për arsye të ndryshme, shpesh ekonomike, por edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë. Disa po migrojnë nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare, disa edhe në këtë kohë kur ne po flasim, në shtetet përreth nesh po asimilohen duke e humbur gjuhën shqipe si gjuhë të nënës, dhe ne kemi ngelur vetëm si spektatorë pasivë. Por le të kujtojmë se parimet e fesë sonë nxisin që ne të kemi familje të madhe dhe të mos frikësohemi për riskun e tyre, ngase atë e ka garantuar Krijuesi ynë”.