Mustafë Mehmeti, tash e dy dekada në ndihmë të nevojtarëve

Çdo ditë e tij fillon me synimin për tu bërë arsye e një gëzimi sadopak të vogël për dikë. Që 23 vjet, ditët e Mustafë Mehmetit janë të mbushura me punë për t’iu gjetur zgjidhje halleve të qytetarëve në nevojë të komunës së Prishtinës, shkruan lajmi.net. Ishte 39 vjeçar kur i ishin hapur dyert e…

Lajme

07/12/2022 21:59

Çdo ditë e tij fillon me synimin për tu bërë arsye e një gëzimi sadopak të vogël për dikë.

Që 23 vjet, ditët e Mustafë Mehmetit janë të mbushura me punë për t’iu gjetur zgjidhje halleve të qytetarëve në nevojë të komunës së Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Ishte 39 vjeçar kur i ishin hapur dyert e organizatës së Kryqit të Kuq, dyer të cilat ende i mban të hapura për të sjellë lumturi dhe gëzim në fytyrat e çdo familje skamnore.

Dashuria që kishte për këtë punë, e bëri atë që për 12 vite të punonte pa pagesë, mirëpo për Mustafën mjaftonte që të ndihmonte një familje në nevojë.

Ndërkaq edhe sot pas 23 vitesh, ky vullnet për të ndihmuar familjet në nevojë nuk është ndalur, e ai thotë se nuk e ka në plan të ndalet deri në pension.

Mehmeti tregon se në vitet e para të kyçjes në organizatën e Kryqit të Kuq ka qenë vullnetarë ku ka qenë i angazhuar në të gjitha punët e organizatës.

“Unë kam ardhur në Kryq të Kuq, së pari të tregoj që kam qenë vullnetar, 12-13 vite që kam punuar pa të holla. Jam angazhuar në të gjitha punët e kryqit të kuq në shpërndarje dhe ai ka qenë shkaku që më kanë pranuar në punë këtu”, rrëfen ai për emisionin “Shenjë”.

Vitet e pas luftës sipas Mehmetit kishin qenë mjaftë të vështira pasi numri i familjeve që kishin nevojë për ndihmë ishte shumë i madh, ndërsa organizata kishte pak vullnetarë.

Mirëpo, ndjesia e të qenit vullnetarë mbetet më e veçanta për të, pasi ka parë dhe ka ndihmuar me mijëra familje në nevojë.

“Ajo periudhë pas luftës ka qenë kohë më e vështirë pak, ka pasur nevojë Kryqi i Kuq për më shumë vullnetarë dhe për atë arsye si vullnetarë kam punuar. Ka qenë mirë dhe jam ndjerë mirë kur kam qenë vullnetarë dhe i kam ndihmuar popullatës në veshmbathje dhe në ushqim dhe në gjëra të tjera”, shton ai.

Derisa ai flet për ndjesinë e lumturisë që e i jep puna që bënë, Mustafa tregon periudhën e vështirë se si ka shpërndarë veshmbathje dhe pako ushqimore, ku të gjitha këto shpërndarje i ka bërë me biçikletë.

“Fillimin e kujtoj, atëherë së pari ka qenë pak më vështirë. Unë kur ja kam filluar si vullnetarë me treguar të drejtën me biçikletë kam shpërndarë gjëra ushqimore për Kryq të Kuq, sepse leje nuk kam pasur të veturës dhe me atë biçikletë. Depon e kam pasur në Lakrishtë dhe aty janë furnizuar 600, sepse këtu janë dy grupe grupi A është nga komuna e vjetër në Vranjevc dhe grupi B është Dardani poshtë”, është shprehur ai.

Ai rrëfen se pas 23 vitesh kushtet për shpërndarje të ndihmave kanë ndryshuar. Për të tashmë gjithçka është më lehtë, por që në kryeqytet ende ka një numër të konsiderueshëm të familjeve që kanë nevojë për ndihmën e Mustafës dhe Kryqit të Kuq.

“Tash ka ndryshuar me të gjitha më mirë është. Tash jam punëtorë i stafit të Kryqit të Kuq, e kam veturën time, dal në teren si për veshmbathje si për ushqim si për vizita familjare edhe është shumë më mirë. E vështirë është shumë sepse këtu një shtresë e popullatës janë shumë në varfëri të skajshme dhe ka shumë familje që janë me fëmijë të sëmurë edhe tash sa duhet nuk po kemi edhe në mundësi për t’i dalë në ndihmë këtyre familjeve”, thotë ai.

Me vitet e kaluara në këtë organizatë gjithçka ka ndryshuar edhe për të. Puna rrjedh më natyrshëm dhe raporti më familjet në nevojë është shumë më i afërt.

Pavarësisht se ndihma që u jep familjeve në nevojë e bënë të lumtur, procesi i punës natyrshëm ndonjëherë është i lodhshëm. Por, me të gjitha vështirësitë që mund të ekzistojnë , atë asnjëherë asgjë nuk e bëri ta mendojë ndërprerjen e kësaj pune.

“Jo nuk kam mendu me lënë sepse një njeri i cili kyçet në punët e Kryqit të Kuq është problem me dal prej këtyre punëve sepse për shkak se kur sheh gjithçka edhe unë mendoj që deri në pension me i bë mirë dikujt edhe nuk mundesh me e lënë punën këtu”, deklaron ai.

Ai çdo ditë është në terren për të parë gjendjen e familjeve në nevojë e për t’i ndihmuar ato. Kjo ka bërë që për mbi dy dekada në këtë punë, humanizmi të jetë tipari më i theksuar tek ai.

Kjo ka bërë që ndër vite ai të vërejë disa ndryshime tek vetja.

“Po më ka ndryshuar shumë ndjenja mi ka ndryshuar sepse përpara ndoshta nuk e kisha ditë çka është puna e Kryqit të Kuq edhe humanizmi në Kryq të Kuq, por tash prej që jam punëtorë me gjithçka ka ndryshuar. Kam parë shumë familje në kushte shumë të vështira shumë të rënda, kam parë familje që janë anëtarë të moshuar për shembull një plak ose dy pleq një familje që janë mbledhur dhe tash unë menxi s’pres fillimi i mëngjesit me dalë në teren dhe mi ndihmu dikujt edhe me gëzu dikë”, tregon tutje ai.

Pavarësisht se kjo atij i ofron kënaqësi, shpesh kjo punë atij i jep ngarkesë emocionale. Kjo pasi në këto vite ai ka takuar shumë familje në gjendje të rëndë.

“Po na vjen shumë keq sepse për një njeri që del dhe e sheh do familje sa e di unë vetëm mos me pas shpirt sepse shumë e rëndë është ajo punë. Por tash brenda kushteve duhet me iu përshtat kushteve. Ne i kemi 2 mijë e 18 familje tani për tani që mbahen me ndihmë nga kryqi i kuq”, thotë  ai.

Por, për të gjithçka bëhet më lehtë falë zemërgjerësisë së qytetarëve. Ai tregon se shumë qytetarë ndihmojnë me shuma parash, pako ushqimore e veshmbathje.

Lumturia e familjeve, pas ndihmës, bënë që ai mos t’i dorëzohet qëllimit që i ka vënë vetës.

“Ka njerëz shumë që durojnë për këto familje edhe të holla, edhe ushqim edhe veshmbathje. Unë të tregova që jam shumë i lumtur që jam punëtor i kryqit të kuq edhe merrem me aktivitete të kryqit të kuq dhe me humanizëm me kryqin e kuq të Kosovës. Por ne gati jemi 3-4 punëtorë që jemi të njëjtën gjeneratë dhe si të tjerët edhe unë ndihem. Ndjenja është që për shkak të familjeve që i kemi parë në teren për shkak të varfërisë që kemi parë në teren është shumë e vështirë me ia kthye shpinën kryqit të kuq me i lanë anash këto punë”, thotë ai.

Mirëpo përveç ndihmës së familjeve në nevojë, ai merret edhe me verifikimin e shumë familjeve për të parë nëse kanë nevojë për ndihmë.

“Në punë këtu dalim nga ora 08:00 e për teren dalim nga ora 10:00 deri në ora 14:00 – 15:00 gati çdo ditë në teren jemi… Po këtyre familjeve më shumë iu ndihmojmë me pako ushqimore dhe me veshmbathje, por më shumë me veshmbathje pako ushqimore pak më rrallë dhe me këto punë merremi dhe me verifikimin e familjeve në teren”, shton ai.

Ndër të tjerash, Kryqi i Kuq i Kosovës, është Shoqatë Kombëtare e pavarur, humanitare, vullnetare dhe jo profitabile, e themeluar në vitin 1945. /Lajmi.net/